Lezhë: Shembet konvikti i shkollës, u dëmtua nga tërmeti

Në Lezhë nisi puna për shembjen e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Konvikti i shkollës profesionale "Kolin Gjoka", ishte godina e parë që u shemb e më pas do vijohet me shkollën "Gjergj Kastrioti", si dhe pallatet në lagjen "Gurra" e "Besëlidhja".

Paralelisht me shembjet po bëhet dhe largimi i inerteve për ti hapur rrugë rindërtimit.

“Është parashikuar të mbarojë brenda 49 ditëve, sipas kontratës të nënshkruar që kemi me kompaninë e cila po bën prishjen e objekteve”, është shprehur Nënkryetari i Bashkisë.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj thotë se ndërhyrje do të ketë edhe në 72 pallate të cilët kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, por nuk janë klasifikuar për tu shembur.

“Edhe pallatet e tjera, të cilat janë të konstatuar për përforcim, do të bëhet rregullimi i ambjenteve të përbashkëta brenda muajit nëntor . Në bashkinë e Lezhës do të filloj një proçes rikonstruksioni dhe rindërtimi në të gjitha pjesët ku është dëmtuar”, është shprehur Ermal Pacaj.

Në qytetin e Lezhës u dëmtuan rëndë nga tërmeti 11 objekte të cilat do të rindërtohen nga fillimi, ndërsa për banesat private të dëmtuara ende nuk ka një plan si do të veprohet.