"Bota në Hënë, ne flasim për ujë të pijshëm", premtimi i Ramës për zgjedhje: Furnizimi 24 orë në 2021

Premtimi për furnizim me ujë të pijshëm do të jetë një nga premtimet kryesore të qeverisë Rama edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Kryeministri në një konferencë për gazetarët foli për 128 kantiere të hapura për ujin e pijshëm që do të ndiqen nga 70 të tjera brenda pranverës së 2021.

Objektivi? Furnizim 24 orë me ujë të pijshëm të 55 zonave të mëdha urbane.

Rama: Brenda pranverës së ardhshme do të hapen 70 kantiere të tjera për të garantuar 24 orë furnizim me ujë vitin e ardhshëm në 55 zona të mëdha urbane të vendit dhe pastaj në 2022 në mbi 200 zonat më të populluara rurale të vendit.

Koshient që premtimi për ujë të pijshëm riciklohet çdo proces zgjedhor, Rama pati këtë përgjigje.

Rama: Shumë pyesin si ka mundësi që flasim akoma për ujin e pijshëm kur bota ka shkuar në Hënë? Është e vërtetë por rrjetet e trashëguara janë rrjete të ndërtuara në vitet '70-'80, as në vitet e komunizmit nuk është garantuar furnizimi me ujë 24 orë dhe as është ndërtuar një sistem ujësjellësi i rrjetizuar nga qendra në periferi. 25 vjet pas komunizmit kemi filluar të prekim një sistem furnizimi me ujë. Është reformë terësore, një nga pesë kolonat e përcaktuar në objektivat tonë. Nuk ka të bëjë vetëm me investimet por konsolidimin financiar të ndërmarrjeve të Ujësjellësit. Kuadri ligjor dhe rregullator është përmirësuar ndjeshëm.Investimet që janë kryer për ujin e pijshëm nga viti 2014-2019 janë 514 milion euro, nga të cilat 202 milionë nga buxhetit i shtetit dhe të tjerat financime të huaja.

Për vitin 2021 do të alokohen 52 mln euro dhe financime të huaja 46 milion euro.Kur mbaroi epoka e qeverisjes së keqe ishte vetëm një qytet me furnizim me ujë 24 orë. Sot ka 23 zona urbane nga Bilishti në Tropojë, nga Pogradeci në Lezhë, nga Fushë Arrëzi në Fier, deri ne Tepelenë e Memaliaj.Deri në 2021 furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë që nga Laçi në Kavajë, Gjirokastër e me radhë. Tirana është një histori më vete ku ka një rritje të furnizimit me ujë, në disa zona ka 24 orë.

Në nivel kombëtar sot që flasim jemi 15 orë dhe do të arrijmë në 18 orë në ditë. Do të kemi 85.6% të popullësisë me akses në ujë të pijshëm.Është themelore të vazhdojmë punën dhe do të vazhdojmë punën jo vetëm për të plotësuar të gjitha kornizat e vendosura që në krye të herës por edhe garantuar qëndrueshmëri të atillë që të mos ketë më asnjë kthim pas.

Rama rezervoi një përgjigje edhe për kritikët e investimeve të reja në kohë pandemie.

Rama: Atyre që pretendojnë apo sugjerojnë që këto nuk janë prioritete, se investimet që kemi vazhduar dhe do vazhdojmë nuk janë prioritete qoftë për infrastrukturën kombëtare rrugore përfshirë dhe investimet e sotme ju them thjesht që ekonomia shqiptare të rritet duhet të vazhdojmë të investojmë fuqishëm, këto investime nuk janë aspak qëllime në vetevete, nuk janë thjesht mundësi punësime dhe të adhurash për dhjetëra mijëa njerëz që punojnë në këto kantiere por këto janë burime të reja ekonomie për të ardhmen, për ekonominë familjare dhe atë kombëtare.