Kjo javë me diell e shi, mos harroni çadrat

Mëngjesi i sotëm nisi me vranësira në të gjithë territorin e vendit, të cilat pritet që të na shoqërojnë përgjatë gjithë javës.

Sipas MeteoAlb, dita e sotme do të vijojë me vranësira dhe kthjellime, të cilat do të zhvillohen herë pas here në skajin verior të territorit shqiptar, që do të bëjnë që të kemi prezencë të pakët dhe të izoluar të rreshjeve të shiut, po ashtu edhe në zonat jug-perëndimore pritet që reshjet e shiut të jenë në sasi të papërfillshme.

Meteorologu, Hakil Osmani nga MeteoAlb, tregon për Ora News se pritet që dita e nesërme do të sjellë fuqizim të vranësirave në vendit tonë dhe reshjet e shiut do të jenë më të dukshme në pothuajse të gjithë territorin shqiptar, reshje të cilat do të na shoqërojnë edhe gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte.

Koha pritet që të hapet gjatë mesditës së të enjtes dhe të premten, ndërsa e shtuna do të ketë sërish prezencë të vranësirave, të cilat do të krijojnë mundësi për reshje shiu, ndërsa e diela do të sjellë sërish një mot më të qëndrueshëm në vendin tonë.

Gjatë ditës së marte pritet që në zonat malore mbi 1500 metra, të kemi prezencë të pakët të reshjeve të dëborës.