"Muzgu 2"/ Transportonin emigrantë të jashtëligjshëm, arrestohen dy të rinjtë
Një 18 dhe një 19 vjeçar kanë rënë në prangat e Policisë së Gjirokastrës në kuadër të operacionit “Muzgu 2”, pasi transportonin emigrantë të jashtëligjshëm.
Sipas informacioneve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. T., 19 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë dhe S. L., 18 vjeç, banues në Krujë.
“Përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, me dy mjete do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjeteve dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve E. T. dhe S. L, të cilët, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në afërsi të vendin e quajtur "Kthesa e Jorgucatit", u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë tip "Audi A3" dhe "Mercedes Benz"”, njofton Policia.
Sakaq në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, 2 aparate celularë dhe 870 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.