Meta këmbëngul: Të shtohen testimet, të rimbursohet çdo qytetar. Edhe Basha kërkon masa shtesë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta, janë njëzëri për situatën e krijuar nga pandemia, duke i kërkuar qeverisë marrjen e masave shtesë.
Lulzim Basha paraditen e sotme bisedoi me përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuara për të dëgjuar problematikat me të cilat përballen këta persona në kushtet e pandemisë së COVID-19.
Përfaqësuesit e PAK, treguan gjendjen e vështirë të kësaj pjese të shoqërisë që në këtë përballje të vështirë nuk kanë marrë asnjë mbështetje.
Mirela Juka nga fondacioni “Dawn Sindrom Albania” tha se kjo kategori ndjehet e diskriminuar duke mos u përfshirë në paketat e ndihmës.
Për situatën e krijuar nga koronavirusi, reagoi edhe presidenti Ilir Meta.
Presidenti i Republikës Ilir Meta me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka reaguar për situatën e pandemisë në vend.
Presidenti kërkon që të kryhen më shumë testime,dhe të rimbursohet çdo qytetar që mjekohet në banesë ndërsa bën thirrje që të gjithë qytetarët të mbajnë maska.
Postimi i Presidentit:
Të shtohen testimet
Të rritet buxheti për sistemin shëndetësor.
Të rimbursohet çdo qytetar që mjekohet në banesë.
Të gjithë të vendosin maskat.
Së bashku kundër COVID-19, për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari!