Hoti porosi qytetarëve pas masave të reja: Mos ua vështirësoni punën atyre që janë në krye të detyrës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas fuqizimit të masave të reja për parandalimin e transmetimit të koronavirusit, i ka porositur qytetarët që të respektojnë vendimet e reja të qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka porositur qytetarët që të mos ua “vështirësojnë punën” atyre që janë në krye të detyrës.
“Të nderuar qytetarë, nga sonte janë në fuqi masat e reja për secilën komunë bazuar në numrit e të infektuarve në shtatë ditët e fundit. Pa ndihmën e juaj nuk mund të arrijmë sukses. Mjekët, infermierët, stafi teknik, policia, inspektoratet dhe shtabet emergjente, janë në krye të detyrës. Mos ua vështirësoni atyre punën dhe vetes jetën. Mos e shtoni numrin e të infektuarve nga pakujdesia”, ka shkruar i kreu i ekzekutivit në ‘Facebook’.
Kujtojmë se të enjten qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi të premten në ora 18:00.