Ndryshimet e reja në Presidencë/ Meta përmend Shaqirin: Ja për çfarë shkoi në Kryeministri, falenderoj Panaritin

Ditën e djeshme një sërë ndryshimesh ndodhën në institucionin e Presidencës, ku profesor Edmond Panariti u emërua drejtor i Kabinetit të Presidentit.

Meta ka sqaruar se ish-këshilltari i tij, Bahri Shaqiri ka qenë në Kryeministri për diskutime në lidhje me Forcat e Armatosura.

“Ish-këshilltari im, ka qenë për çështjet që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura, në një takim me drejtorin e kabinetit të Kryeministrisë në një takim të kërkuar prej tij, sa për informacion dhe transparencë.

Lidhur me përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë ne po e studiojmë pas pyetjeve publike që bëmë. Dje gjithashtu për shkak të dorëheqjes së z. Shaqiri, kam bërë një riorganizim të kabinetit dhe dua të falenderoj profesor Edmond Panaritin që pranoi detyrën e drejtorit të Kabinetit, pasi përballimi i pandemisë, por edhe sfida të tjera të shëndetit publik do të jenë prioritet kryesor të Presidentit", ka thënë Kreu i Shtetit.

Vetë Kreu i Shtetit, sot në bashkëbisedimin me gazetarët ka treguar se është besimplotë në bashkëpunimin  me Panaritin në luftën kundër pandemisë.

Për çështjen e pandemisë, jam i bindur që me profesor Edmond Panaritin institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë në një lartësi më të duhur për të kontribuar për këtë çështje madhore që do të jenë prioritet në ditët dhe javët që vijnë për të gjithë, sepse shëndeti është më i rëndësishmi."