OFL publikon bilancin, ja sa dosje janë dorëzuar për 9 muaj
Nëntë muaj pas nisjes së operacionit forca e ligjit, në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion, janë regjistruar vetëm 192 procedime nga 498 formularë vetë-deklarimi që u janë dërguar subjekteve nga agjentët e OFL-së në Policinë e Shtetit.
Sipas një bilanci zyrtar nga këto dosje, 101 prej tyre janë regjistruar për sekuestro, 49 për konfiskim dhe 20 për heqje sekuestroje. Nga ana tjetër SPAK ka kthyer për plotësim dokumentesh 30 pasuri, si dhe ka refuzuar 22 kërkesa të agjentëve të OFL-së për shkak se nuk ishin në përputhje me ligjin dhe të bazuara në prova.
Ndërkohë 12 prej kërkesave të policisë janë në shqyrtim nga SPAK. Ky është bilanci i aksionit deri këtë muaj ndërkohë që mësohet se afati i fundit kur agjentët e OFL-së duhet të dërgojnë formularë vetë-deklarimi është 31 dhjetori.
Pas kësaj date ndërpritet funksioni i kësaj strukture ndërkohë që hetimet pasurore pritet t'i vazhdojë Byroja Kombëtare e Hetimit, institucion që ndodhet ende në fazën e plotësimit të organikës me oficerët që kanë kandiduar.
Pjesë e BKH do të jenë 60 oficerë që do merren me hetimet, por deri më tani janë kualifikuar 55 kandidatë, të cilët të premten i janë nënshtruar intervistimit me gojë, ndërsa kanë dhe dy faza për të kaluar për t'u bërë pjesë e BKH-së. Kandidatët që do kalojnë intervistën, do përballen me testin e makinës së të vërtetës, ndërsa faza finale është nënshtrimi i vettingut.
Në kushtet kur Byroja Kombëtare e Hetimit kërkon 60 hetues dhe në fazat e fundit mund te këtë serish të s’kualifikuar, në përfundim të këtyre procedurave gara pritet te rihapet serish për të plotësuar organiken ndërkohë që puna do të fillojë me kandidatët e kalulifikuar në konkurimin e parë.