Raportim në periudhë pandemie, Sonila Meço merr certifikatën e mirënjohjes: Do ta konsideroj çmimin si një vlerësim për të gjithë mediat e kolegët
Moderatorja e emisionit “Tempora” në RTV Ora, Sonila Meço është vlerësuar me certifikatën e mirënjohjes nga “George. C. Marshall Albania".
Meço është vlerësuar për kontributin e dhënë nëpërmjet emisioneve maratonë gjatë pandemisë së Covid-19, ndërkohë që ka treguar edhe një rast të veçantë në ditët e para të lockdownit.
“U shpall karantina e famshme. Unë në ato momente isha Sonila, bija e dy prindërve në pension, mamaja e një vajze të vogël. Të hutuar, në ankth për atë që do të ndodhte. Pronari i televizionit Ora na njoftoi që çdo gjë do të mbyllet, kështu që programet do të ndërpriteshin për një periudhë të pacaktuar. Të shtunën dhe të dielën unë kisha harruar që isha një gazetare. Të dielën pasdite z. Ndroqi më mori sërish dhe më tha “Sonila, është e pamundur. Si mund të qëndrojë media? Unë do ta thyej këtë barrierë gjithsesi.”
Dolëm në transmetim dhe ime më më shkuante vazhdimisht se si isha. Rrugës gjeja policë shumë bashkëpunues, nuk kisha autorizim, telefoni i drejtorit të Policisë më dilte i zënë. Mora z. Kalo dhe i thashë që doja ta ftoja në emision dhe më tha që ishte në vijën e parë të luftës. “Për çdo sekondë që unë mund të harxhoj në emisionin tënd, një jetë duhet shpëtuar”.
Zoti Brataj që vinte në program çdo herë me një tufë me letra dhe mungoi vetëm kohën që ishte me Covid”, ka treguar gazetarja.
Sonila Meço ka shtuar se certifikatën e marrë do ta vlerësojë për të gjithë mediat dhe kolegët.
"Kemi qenë të gjithë në këtë sallë të paragjykuar, edhe duke përjetuar krizë besimi. Unë vazhdoj të jem e bindur që solidariteti, bashkëpunimi dhe mirënjohja për të gjithë ata që po dëshmohen njerëz në këtë situatë, është ajo që do të na shpëtojnë më shumë se çdo protokoll mjekësor.”