Një çerek shekulli në arrati, ja banesa ku jetonte nëna që vrau foshnjen, flasin fqinjët

Një 46-vjeçare u arrestua në Devoll 25 vite pasi dyshohet se mbyti foshnjën e e saj 9 muajshe, një ngjarje e shënuar në Greqi. Pasi kishte arritur të arratiset nga paraburgimi në vitin 1997, ajo ishte kthyer në fshatin Miras të Devollit, ku kishte ndërtuar një jetë të re.

Irena Kostaki Zeria , 46 vjeçarja e arrestuar pasi në vitin 1995 ka mbytur me duar vajzën e saj 9 muajshe në Dilas të Greqisë kishte ndërtuar një jetë të re ndërsa ishe në kërkim për krimin për të cilin është dënuar me 20 vite burg.

Pasi kishte arritur të arratiset nga paraburgimi në vitin 1997, ajo ishte kthyer në fshatin Miras të Devollit.

17 vitet e fundit ka jetuar në këtë banesë, me bashkëshortin dhe dy fëmijë që ka sjellë më pas në jetë.

"Lindi djalin, e ka 25 vjeç. Pas 25 viteve e merr policia, është gynah. Ka dhe një vajzë në Tiranë. Këtu ka jetuar, nuk ka ikur më jashtë ajo."

Fqinjët thonë se nuk dinin gjë për historinë tragjike në Greqi, ndërsa e vlerësojnë për kohën që ka jetuar aty.

Por disa pohojnë se Irena Zeria ka vuajtur nga probleme të shëndetit mendor.

"Këtu ka qenë shumë e mirë, e përsosur. Që e ka bërë atë veprim, vetëm probleme mendore se nuk e bën njeriu."

"Një gjë që nuk e di nuk e di, pse të flas kot."

46 vjeçarja u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në banesën e saj ku arriti ti fshihet drejtësisë për gati një çerek shekulli.