“Po dëmton interesat kombëtare”, Basha mesazh Ramës: Akuzat e tua janë shpifje! Do të japësh llogari para drejtësisë
Kryedemokrati Lulzim Basha me anë të një video mesazhi i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama për përfshirje si intervistues në hartimin e raportit të Dick Marty-t.
Basha ka akuzuar kreun e qeverisë se po dëmton interesat kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërkohë që ka shtuar se do të japë llogari para drejtësisë.
Basha: Ti nuk je në gjendje të mbash asnjë premtim të vetëm. E vetmja që që di të bësh është të shkatërrosh ekonominë dhe të ardhmen tonë. Ndërkohë që merresh me vizatime dhe nuk shkulesh nga Instagrami unë e kam vënë tërë jetën time në shërbim të vendit, për Shqipërinë, për shqiptarët, për pavarësinë e Kosovës.
Ti nuk më mëson dot mua se çfarë është Besëlidhja e Shqipërisë. Edhe sot me gënjeshtrat, mashtrimet dhe veprimet e tua, ti dëmton Shqipërinë, dëmton Kosovën dhe interesat kombëtare.
Ta them qartë dhe prerë që të gjitha akuzat e tua janë shpifje dhe mashtrime për të larguar vëmendjen nga skandalet dhe mashtrimet e tua që po i paguajmë me jetë njerëzish. Po vjen dita të japësh llogari para drejtësisë, por tani do të investoj çdo minut të kohës time që pas 8 vitesh të dështimeve të tua, të të mposht në zgjedhje.