Qytetarët e prekur nga COVID i ankohen Bashës: “1.8 milionë lekë ilaçe"

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, bisedoi me disa qytetarë të cilët kanë kaluar virusin Covid-19. Ata i shprehën Bashës shqetësimin se fatura  për të përballuar këtë sëmundje është tejet e lartë, dhe kishte nga ata që kanë paguar edhe deri 2000 mijë euro. Lulzim Basha, tha se qeveria i ka lënë qytetarët në harresë, ndërsa sipas tij pandemia tashmë është jashtë kontrollit.

Muharrem Poleshi, është një ndër mijëra qytetarët që janë përballur me virusin Covid-19. Në një bashkëbisedim me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ai tha se fatura e përballimit është e lartë dhe të ardhurat e familjeve normale e kanë të pa përballueshme. Sipas  tij vetëm 30 gjilpëra i kanë  kushtuar 1 milion e 800 mijë lekë, të cilat i ka mbuluar nga fëmijët që jetojnë emigrantë.*

"Kam kaluar të gjitha simptomat, isha gati për intubim thuajse. Shtatë herë telefonova 127 dhe nuk mu përgjigj askush. Ditën e tetë mu përgjigj një mjek dhe më tha nuk jemi ne ata që ju shërbejmë. Shkova te mjeku i familjes. Shpenzime private marramendëse, vetëm 30 gjilpëra më kanë kushtuar 1 milionë e 800 mijë lekë. Falë djalit që kam në Angli, me lekët e mia i kam blerë. Pa përfshirë këtu kokrrat e të  gjitha ilaçet, asnjë rimbursim."- u shpreh qytetari

Të njëjtin shqetësim shprehu edhe qytetarja Amarda Hanku.

"Pasi mora përgjigjen doktori më dha kurën plus Kura që mora dhe tarifa e gjithçkaje që u përfshi ishte mbi 700 mijë lekë. Me pensionin e babait dhe të ardhurat e mia i pagova. Nga shteti do doja që pjesa e ilaçeve të ishte falas dhe praninë e një psikologu"- tha mësuesja Hanku.

 Kryetari i opozitës Lulëzim Basha, tha se qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk i përballojnë kostot financiare të mjekimit.

"Për të gjithë ata pacientë që duhet të kalojnë kalvarin që ju vetë e keni kaluar nga diagnoza te trajtimi, përsëri trajtim nëse nuk ka rezultate të dëshiruara, trajtimi i të afërmve të cilët i sëmur nëse nuk izolohesh në kohë sepse nuk e di kohën që je me Covid, arrin në shifra në shifra të papërballueshme dhe shifra e përmendur prej 2 milionë lekësh a ka familje shqiptare që mund ta përballojë këtë?"- tha Basha.

Ai  tha se qeveria nuk ka marrë masat e duhura dhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Sipas tij shifrat e të infektuarve janë 5 herë më të larta se ato që raportohen.

"Asnjë plan nga ana e kryeministrit, asnjë masë për të ndihmuar njerëzit. Sot që flasim testimet janë më të ulëtat në Europë, ndërkohë që numri i infeksioneve të raportuara po rritet nga dita në ditë dhe numri i infeksioneve të paraportuara sipas mjekëve me të cilët kam biseduar është 2,3 deri në 5 herë më i lartë sesa ai që raportohet."-tha Basha

Basha tha se rimbursimi i faturës se ilaçeve, është domosdoshmëri ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të rrisë numrin e tamponëve për të mësuar shifrat reale të të prekurve.

"Testimet janë kryesore sepse testimet tregojnë me të vërtetë se sa është përhapja e infeksionit dhe në bazë të saj pastaj merr masat për trajtimin e njerëzve. Detyra e qeverisë është që për personat që e kalojnë në shtëpi, mos t’ju mungojnë barnat. Detyra e qeverisë është që të paktën sëmundja, që është një e keqe në vetvete mos të kthehet në një mallkim të dyfishtë dhe t’i shkatërrojë fare ekonomikisht familjet shqiptare që edhe kështu, edhe pa sëmundje, ekonominë e kanë më të rrënuarën në Ballkan, më të rrënuarën në Europë. Pastaj dhe rimbursimi i paketës së ilaçeve. Mund të jetë 50 mijë, mund të jetë 100 mijë, mund të jetë 200 mijë, në rastin tuaj ka shkuar 2 milion. Po ata që e kanë blerë Rendisivirin me paratë e tyre ju ka shkuar 3 mijë euro vetëm Rendisiviri.- tha ndër të tjera Basha"