Mbi 1000 të arrestuar në Bjellorusi

Policia bjelloruse ju kundërpërgjigj me dhunë dhe arrestime masive protestave të javës së 13 kundër presidentit Aleskandër Lukashenko. Protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e presidentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Mbi njëmijë protestues anti-qeveritarë u arrestuan të dielën në Bjellorusi, gjatë fundjavës së 13-të të protestave që bëjnë thirrje për dorëheqjen e presidentit Aleskandër Lukashenko dhe zgjedhje të reja presidenciale.

Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se gjithsej 1024 vetë u arrestuan nga forcat e sigurisë, ndërsa të tjerë u rrahën brutalisht.

Shumica e arrestimeve u bënë në kryeqytetin Minsk, ku policia bllokoi valët telefonike dhe mbylli metronë.

Grupi Vyasna tha se disa nga të arrestuarit u liruan më vonë.

Presidenti Lukashenko e mban pushtetin në Bjellorusi që prej vitit 1994.

Ai u rizgjodh president në muajin gusht, por sipas opozitës dhe protestuesve, zgjedhjet u manipuluan.

Perëndimi refuzon ta njohë Lukashenkon si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkon atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.

Vetë Lukashenko i mohon akuzat për manipulim të votave.

Mijëra vetë janë arrestuar që kur autoritetet e kanë shpallur atë fitues të zgjedhjeve.

Gjithashtu shumica e udhëheqësve të opozitës janë arrestuar ose detyruar të largohen nga Bjellorusia.