Burgjet italiane në alarm/ Të burgosurit infektohen me Covid-19, në rrezik edhe ata shqiptarë

Burgjet italiane ndodhen në një situatë alarmante për shkak të pandemisë Covid-19.

Kjo valë e dytë e virusit në Itali, ka goditur punonjësit e burgjeve dhe të burgosurit me një trend të frikshëm në rritje që kapërcen shumë herë shifrat e fazës më akute të tij në periudhën mars-prill 2020.

Në rrezik infektimi nga koronavirusi janë dhe 2039 të burgosur shqiptarë që vuajnë aktualisht dënimin në Itali, 19 prej të cilëve janë femra.

Sekretari i Përgjithshëm i Punonjësve të Policisë së Burgjeve, Aldo Di Giacomo, në kontakt me gazetaren e RTV Ora në Romë, informon se gjatë ditëve të fundit, 3 të burgosurit kanë humbur jetën për shkak të infektimit nga koronavirusi e deri më sot janë rreth 1050 të infektuar në këtë sistem, të burgosur e punonjës burgjesh.

Po ashtu, 1300 policë burgjesh ndodhen në regjim izolimi për shkak të kontaktit që kanë patur me persona të infektuar.

"Analiza e të dhënave po shfaqet e pakontrollueshme dhe pas 15 ditësh rrezikojmë një katastrofë", është ky apeli i kreut të Sindikatës së Policisë së Burgjeve Italiane.

Ai akuzon Ministrinë e Drejtësisë për mosapalikimin e masave urgjente të garancisë së shëndetit të të burgosurve e të stafit të punës në sistemin e burgjeve. Qelitë vazhdojnë të jenë të hapura dhe të burgosurit komunikojnë me njëri-tjetrin. Takimet fizike mes të burgosurve e familjarëve janë operative. Mjaft gjykata vazhdojnë të kërkojnë praninë e të burgosurve në sallat e gjyqeve.

Sindakata e Policisë së Burgjeve e gjen të papranueshme mosaplikimin e përdorimit të sistemit skype për takimet mes të burgosurve e  familjarëve apo  videokonferencat me të burgosurit në seancat e proceseve gjyqësore.

Kryesindikalisti i Policisë së Burgjeve në Itali, e gjen të parpanueshme që në një situatë të tillë e vetmja masë që autoritetet italiane po kërkojnë të marrin është lirimi nga burgjet për ata të burgosur që vuajnë një dënim më të ulët se 18 muaj burg duke pretenduar kontrollin me anë të  byzylykut elektronik.

Por ky lloj instrumenti është për momentin i pamjaftueshëm në numër, siç qe dhe gjatë fazës së parë të pandemisë ku për shkak të rrezikut të infektimit u lanë të lirë rreth 8 mijë të burgosur.

Në rrezik infektimit nga Covid-19 në Itali janë dhe 2049 të burgosurit shqiptarë baraz me 11.5% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve me kombësi të huaj që është 17.713.

Numri më i lartë i të burgosurve shqiptarë ndodhet pikërisht në zonat e emërtuara të kuqe për shkak se rreziku pandemik është në nivel të pakontrollueshëm territorial.

Sipas të dhënave të siguruara nga RTV Ora, janë 438 të burgosur shqiptarë që vuajnë dënimin në Lombardi, 213 në Emilia Romagna, 238 në Toskana, 167 në Piemonte, 122 në Veneto etj.

"Besojmë tek e drejta e dënimit ndaj të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin. Shteti duhet të marrë të gjitha masat për të garantuar dënimin e tyre e shëndetin e të gjithëve, duhet të jetë në krah të qytetarëve e familjarëve që kanë vuajtur nga paligjshmëria e kriminelëve e jo në krah të kundërt", shprehet kreu i Sindakatës së Punonjësve të Burgjeve në Itali.