Vlorë\ Nisin me tensione shembjet në lagjen”1Maji”, banorët të frikësuar se do ngelen në rrugë
Nisi me tensione e kundërshtime, shembja e banesave në lagjen 1 Maji në Vlorë që preken nga projekti i zgjerimit të portit. Banorët nuk i besojnë Bashkisë Vlorë që u ka premtuar bonus qiraje, ndaj kërkojnë garanci për të dalë nga shtëpitë.
Fillimisht policia rrethoi lagjen 1 Maji në Vlorë. Më pas shkuan fadromat që nisën shembjen e banesave që preken nga projekti që lidh rrugën transballkanike me Portin.
Banorët janë njoftuar vetëm disa ditë më parë dhe e kundërshtuan aksionin.
Një pjesë e tyre që janë përjashtuar nga legalizimi kërkojnë strehim, ndërsa të tjerët që i kanë objektet me dokumentacion të rregullt, kërkojnë shpronësim me vlerën e tregut.
“Më jep shtëpi të të jap shtëpinë”, shprehen banorët.
Bashkia e Vlorës thonë se u ka premtuar për bonus qiraje, por nuk kanë besim. Frikësohen se po dolën nga shtëpitë, do ti lënë në rrugë.
Thonë se nuk janë kundër zhvillimit, por kërkojnë garanci. Kanë dyshime se pas projektit ka interesa të tjera ekonomike.
“Kush është ai që të më japi qiranë, gjej kontratën ti se do ta paguaj unë, por asnjë s’të jep kontratën se nuk kanë besim tek bashkia, se janë gënjeshtarë”, shprehen banorët.
Përfaqësues të Bashkisë së Vlorës ndërkohë u shfaqën në krah të disa banorëve për të përsëritur premtimin se do ti mbështesin.
“Mundësia e përkohshme është bonusi i qirasë, më pas do t'i ndihmojmë me kredinë e butë”, shprehet përfaqësuesi i bashkisë.
Janë 15 shtëpi që do të shemben në fazën e parë të zbatimit të projektit.