"Të kaluar si hetues i UÇK", Rama-Bashës: Dil e sqaro popullin
Teksa vëmendja e të gjithëve është te situata e pandemisë në vend dhe tejmbushja e spitaleve me të sëmurë, kryeministri Edi Rama i rikthehet edhe një herë postimeve mbi raportin e Dick Marty-t për Kosovën.
Në vazhdim të replikave mbi raportin e Dick Martin, në një status në twitter, Rama shkruan: “Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin!”
Ndërsa citon organizatën ndërkombëtare, Human Right Watch Rama shkruan:
“Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë”.

Një ditë më parë, Drejtoresha e Zyrës së Shtypit në PD, Elona Meço reagoi zyrtarisht ndaj akuzave të kryeministrit Rama dhe duke rënditur faktet.
“Edi Rama gënjen për qendrimin e Shqipërisë ndaj raportit të Dick Marty. Ky raport nuk u votua kurrë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Janar 2011, sepse raportet nuk votohen.
Në Asamble, Shqipëria votoi pro një rezolute, e cila kërkonte hetim për çështjet e ngritura në raportin e Dick Marty. Rezoluta i bën thirrje Eulex-it, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë etj që të ndihmojnë me hetimin. Pra, vota nuk është pro raportit të zotit Dick, por pro rezolutës“, thuhet ndër të tjera në reagimin e Meços.