Gratë naftëtare dalin nga greva e urisë, ja kur do të takohen me kryeministrin Rama

Pas 26 ditësh në grevë urie, gratë naftëtare i dhanë fund ngujimit. Jashtë qendrës shëndetësore i prisnin kolegë e kolege të tyre me duartrokitje.

Ndërprerja e grevës ka ardhur pas lajmit se pasditen e së hënës, në Ballsh pritet të shkojë kreu i qeverisë Edi Rama, për të biseduar me to.

Gratë naftëtare shprehen besimplotë se do të gjejnë një zgjidhje në bisedimet me kryeministrin.

“Sot erdhi momenti që ne të dalim nga kjo grevë për një fitore të re”, shprehen naftëtaret .

Por nëse nga negociatat nuk do të ketë rezultat pozitiv për marrjen e pagave ato paralajmërojnë protesta.        

“Po dolëm të zhgënjyera ka hapa edhe pas, do mendojmë gjëra të tjera”, shprehen gratë naftëtare.

Kreu i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, kërkon që sot të arrihet një marrëveshje për pagat e naftëtarëve.

Edhe greva këtë ka pasur si qëllim, që palët të ulen në takim dhe të japin zgjidhje. Deri në momentin që flasim është arritur kompromisi për takim, shpresojmë që të arrihet edhe kompromisi për zgjidhjen financiare. Theksoj edhe një herë se naftëtarët nuk kanë nevojë për premtime boshe”, është shprehur Dautaj.

https://youtu.be/zLOE_XqGwFo