Kampionati i shahut/ Rajoni i veriut luan në Lezhë, Tirana ekipi për t'u mundur

Kampionati kombëtar ekipor në shah nisi i ndarë në tre rajone me nga katër ekipe.

Vllaznia është favorite e grupit të veriut, ku bëjnë pjesë edhe klubi i Lezhës, Valbonës dhe Veleçikut.

Kampioni shkodran, Franc Ashiku, ka si sfidë të thyejë Tiranën me lojtarë nga ekipi kombëtar.

Franc Ashiku: Shpresoj që të arrijmë të kualifikohemi. Vetëm një ekip kualifikohet, kështu që duhet të japim maksimumin. Ndër ekipet më të fortë që vlerësoj është Tirana, ku praktikisht është gjithë ekipi kombëtar që merr pjesë në Olimpiadë, përveç meje.

Lezhianët e pranojnë se u mungon eksperienca e ekipeve të tjera, por thonë se kanë elemente premtues për lojën e Shahut.

"Po krijojmë një përvojë shumë të mirë në shah dhe kemi edhe të rinj", shprehen lezhianët.

Partizani, Teuta, Apollonia e Elbasani përballen në grupin B dhe Butrinti, Luftëtari, Flamurtari e Bylisi në grupin C.

Fituesve të grupeve do t'u bashkohet Tirana, kampione në fuqi dhe pretendente.

"Pretendent kryesor për fitimin e kësaj gare është fituesi i kampionatit të vjetshëm, Tirana, e cila pret tre finalistët e tjerë"

Kampionati këtë vit po zhvillohet sipas protokolleve kundër koronavirusit.