Shkatërrohet banda e drogës në Greqi/ 8 të arrestuar, mes tyre edhe shqiptarë
Policia greke shkatërron një grup kriminal që merrej me tregtimin dhe shpërdarjen e lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë 8 persona, mes tyre shqiptarë, ganezë dhe nigerianë. Ndërkohë 6 të tjerë janë shpallur në kërkim policor.
Sipas mediave vendase, trafiku i drogës (heroinë, kokainë dhe kanabis) bëhej në zonën e Metaxourgeio dhe kryesisht në rrugët Iasonos, Kolokynthous dhe Kerameikos në Athinë.
Droga fshihej në pemë, tendë makinash, kosha plehrashh dhe në pjesë të ndryshme të rrugës, ku personat e varur nga droga shkonin çdo ditë në zonë për të marrë “racionin”.
Sipas hetimeve të policisë, një nga të arrestuarit ishte përgjegjës për vëzhgimin e lëvizjes forcave të rendit, ndërsa informonte anëtarët e tjerë të organizatës dhe drejtonte lëvizjet e tyre.
Pas operacionit policia sekuestroi 12,095 euro, 264 gramë kanabis, 4 gramë heroinë, 15 telefona celularë dhe një automjet.
Të arrestuarit, identitetet e të cilëve nuk janë bërë ende të ditur, u dërguan në prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Athinës, ndërsa hetimi për grupin vijon ende.
