Këshilli i Dhomës së Avokatisë pezullon kandidimin për 5-10 vite për të shkarkuarit nga vettingu
Prokurorët dhe gjyqtarët e shkaktuar nga vettingu, do të pengohen të kandidojnë si drejtues të Dhomës së Avokatisë për 5 deri në 10 vite. Ky vendim u mor nga Këshilli i Përgjithshëm, por nga ana tjetër avokatët penalistë paralajmërojnë bojkot të seancave gjyqësore nëse nuk rriten pagat për avokatët kryesisht.
Gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë shkaktuar nga vettingu, do të pengohen të kandidojnë në organet drejtuese të dhomës së avokatisë për 5 deri në 10 vite.
Ky vendim u mor nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës se Avokatisë të Shqipërisë, pas kërkesës së Dhomës së Avokatisë, të cilët kërkojnë që tu mohohet kjo e drejtë, pasi vitin tjetër pritet të mbahen zgjedhjet në radhët e avokatëve.
Braho: U vendos një pezullim 5 vjeçar për organet drejtuese dhe 10 vjeçar për kryetar të Dhomave Vendore apo Dhomës Kombëtare.Kjo është një e drejtë që ligji për profesionin e avokatit autorizon Dhomën e Avokatisë nëpërmjet statutit që miratohet nga Këshilli i Përgjithshëm.
Një tjetër propozim sipas avokatit, Ledio Braho, ishte dhe heqja e licencës e cila është e rregulluar me ligj që i pengon të shkarkuarit për aplikimin e licencës së avokatisë.
Braho: Të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që shkarkohen dhe nuk e kanë licencën e avokatisë nuk kanë të drejtë që ta marrin atë por ndërkohë për të gjithë ata që e kanë pasur licencën e avokatisë kjo nuk i pengon në ushtrimin e aktivitetit si avokat.
Nga ana tjetër Shoqata e Avokatëve Penalistë ka paralajmëruar bojkotin e seancave gjyqësore nëse nuk rriten pagesat për avokatët kryesisht.
Për avokatin Braho bojkoti është i drejtë nëse nuk jepet një zgjidhje nga shteti.
Braho: Ky është detyrim i shtetit për të përmbushur detyrimet financiare ndaj këtyre avokatëve. Patjetër që kanë të drejtën e bojkotit në rast se kjo situatë do të vazhdojë në këtë mënyrë.
Kërkesat e Dhomës së Avokatisë për të përjashtuar gjyqtarët e prokurorët nga profesioni i avokatit ka ardhur pasi shumë prej tyre kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar sitës së vettingut, dhe vazhdojnë punën si avokatë.