Në mes të pandemisë, Bashkia e Durrësit shpenzon për lule dhe pemë dekorative, tenderi për gruan e ish-kryebashkiakut të Vorës

Kur vendi është përfshirë nga kriza ekonomike e shkaktuar prej koronavirusit dhe thuajse një vit nga tërmeti i 26 nëntorit prej të cilit u dëmtuan mijëra banesa, të cilat janë ende të pabanueshme, kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emiriana Sako, vendos te shpenzojë paratë e buxhetit për të blerë lule dhe pemë dekorative.

Ndikuar nga kriza, banorët e qytetit brendetar këtë veprim e cilësojnë absurd.

"Si durrsak i vjetër që jam më duket absurde. Kur njerëzit janë pa shtëpia, po u grabisin pronat, çfarë lulesh do qyteti?Njerëzit po vdesin pa shtëpia."

"Ka një vit që njerëzit rrinë në çadra. Shteti merret me budallallëqe.Këto lekët që i kanë hedhur për lulet e gjelbërimin për mua është turp."

Në faqen zyrtare në Agjencisë së Prokurimeve Publike bëhet e ditur se kjo kontratë ka një fond limit prej 83 milionë lekësh, me të cilat është menduar të merren mbi 30 lloje pemësh dekorative.

Pjesëmarrës rezulton të ketë qenë vetëm kompania A.M.E 2020, e cila ka ofertuar me 82 milionë lekë dhe duke qenë e vetme në garë është shpallur automatikisht edhe fituesja.

Ky subjekt është në pronësi të Merita Kajmakut, gruas së ish-kryebashkiaut të Vorës i cili u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas akuzave të opozitës se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh.

Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompania ka ndryshuar emrin në 30 janar  nga Kajmaku në “A.M.E 2020” ndërsa Agim Kajmaku është larguar nga ortakëria në korrik të 2019.