Kolonjë/ Lihet tërësisht në harresë nga institucionet fshati Qinam

Me ardhjen e aktorit Erion Isait në krye të bashkisë së Ersekës, banorët shpresuan se do të niste ndryshimi në jetët e tyre. Por kur po afrohet gjysma e mandatit shpresat sipas tyre janë të pakta. Madje 450 banorët e fshatit Qinam të Ersekës janë lënë krejtësisht në harresë.

Krahas mungesës së ujit të pijshëm, problematikë vijojnë të mbeten kanalizimet e ujërave të zeza, mungesa e ndriçimit si edhe mungesa e infrastrukturës rrugore.

“S’do koment, shikohen rrugët sesi janë, ujërat e zeza dalin në sipërfaqen e rrugës”, shprehen banorët.

Uji që shkon në shtëpitë e tyre nuk mund të përdoret për konsum.

“Situata është shumë e keqe duke filluar që nga uji i pijshëm,ujërat e zeza e ndriçimi”, shprehen banorët

Në fshat mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza, ku në të shumtën e rasteve ato dalin në sipërfaqe dhe janë burim infeksionesh e sëmundjesh.

“Këtu ujërat e zeza dalin komplet në rrugë, jemi të rrezikuar për shëndetin tonë dhe të fëmijëve”, shprehen banorët.

Banorët shprehen se Bashkia e Kolojës u ka thënë se ka në dispozicion vetëm 10 milionë lekë për fshatin, por as ato nuk janë investuar.

“Na kanë thënë që vetëm 10 milionë janë në dispozicion për fshatin tonë minumini. Ç’mund të bëj unë me aq lekë, na tha kryetari i bashkisë”, shprehen banorët.