Mediu nga Kamza: Rama nuk është i interesuar për shtet
Kryetari i Partisë Republikane gjatë një takimi të zhvilluar në Kamëz me strukturat e kësaj partie u njoh me shqetësimet e banorëve, të cilët u shprehën se rruga e vetme e të rinjve për ti dhënë shpresë jetës mbetet largimi nga Shqipëria pasi varfëria, papunësia dhe pasiguria e kanë bërë jetën të padurueshme.
Në lidhje me problematikat aktuale të qytetarëve shqiptarë dhe largimin masiv të të rinjve Mediu fajësoi drejtëpërdrejtë Kryeministrin e vendit për një mungesë totale përgjegjshmërie në qeverisjen e vendit.
Mediu: Edi Rama nuk është i interesuar për shtet sepse e ka shkatërruar atë, nuk është i interesuar për institucione sepse për të institucionet nuk ekzistojnë përtej ineteresit të tij, nuk është i interesuar për qytetarët sepse po të ishte i interesuar do të kishte të paktën një brerje të vogël ndërgjegjeje për largimin masiv të qindra të rinjve dhe të rejave profesionistë të këtij vendi, pjesën më aktive të shoqërisë e cila është larguar jo thjesht në emigracion por për shkak të mungesës së shpresës dhe besimit këtu në Shqipëri.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u bëri thirrje qytetarëve që në 25 prill të bashkohen në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo qendër votimi për tu përballur me krimin, korrupsionin, tentativën për të manipuluar votat e ndershme e të lira me qellim marrjen në kontroll të jetës së shqiptarëve.