Shmanget vetëvrasja në Ballsh, grevistja naftëtare tregon si ja mori shoqja thikën nga duart për të mos prerë damarët

Në ditën e 24 të grevës së urisë, gjendja e naftëtareve të Ballshit është rënduar. Teksa kërkojnë pagat e prapambetura, mbrëmjen e së premtes një greviste ka tentuar të vetëvritet, ndërsa shprehet se nuk i ka mbetur rrugë tjetër.

Për Mimoza Muhametajn, mbrëmja e së premtes ka qenë mbrëmja më e zezë e jetës së saj, pasi ajo ka tentuar të vetëvritet.

Ajo ka 36 vite punë si naftëtare në rafinerinë e përpunimit të naftës në Ballsh, ndërsa është në grevë urie prej 24 ditësh.

 “Nata më e zezë në jetën time, kam tentuar një moment vetëm ma ka hequr thikën nga dora shoqja që që kam në krah. Unë e vdekur që e vdekur jam, ku do të vete? Do mbahemi mend, do të vetëflijohemi! Mos ta marrë asnjë si shaka. Kryeministri paska thënë mbrëmë që na ka dhënë një shans, i vetmi shans që na ka dhënë është ngujimi. I lutem edhe Gramoz Ruçit që na premtuar shumë dhe asgjë nuk ka bërë. Flasin vetëm kur vjen koha për votimet. Jam shumë e ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht. Do të vetëflijohemi, nuk ka ku të shkojë më. Jemi shumë të acaruara” deklaroi ajo.

Grevistja Mimoza Muhametajn

Naftëtarja kujton edhe shprehjen e famshme të kryeministrit Rama “Nuk keni parë asgjë akoma”.

Naftëtaret shprehen të zhgënjyer edhe me Presidentin Ilir Meta i cili një ditë më parë nuk i vizitoi ato.

"Gëzuam dje që erdhi burri i parë i vendit Ilir Meta në Bylis. E paska pasur më të rëndësishme të dekoronte një grup këngëtarësh sesa të vinte të shikonte gratë e ngujuara këtu ku jemi ne sot. E mora thikën dhe do të prisja damarët."

Me lot në sy një tjetër naftëtare thotë se ka nevojë për një operacion i cili kushton rreth 10 milionë lekë, por ajo do të vijojë grevën pasi nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Në ditën e 24 të grevës së urisë, gratë naftëtare vijojnë të kërkojnë pagat e prapambetura të tyre të cilat janë të fituara edhe me vendim të formës së prerë të Gjykatës.

Po çfarë deklaroi presidenti Meta një ditë më parë nga Bylisi për grevën e naftëtarëve të Ballshit?

Presidenti Ilir Meta apeloi edhe njëherë qeverinë Rama për tu ulur në dialog me grevistet naftëtare në Ballsh.

Duke folur nga Fieri, Meta tha se kjo qeveri çnjerëzore do të marrë dënimin e merituar në 25 prill dhe e kujtoi qeverinë se do të jetë përgjegjëse për shëndetin dhe jetën e naftëtarëve.

Meta: E vetmja zgjidhje që mund të bëhet është shpërndarja e parlamentit dhe shpërndarja e qeverisë për të zgjidhur një problem mjaft të agravuar social. Por nuk mendoj se është ky momenti për ti dhënë përgjigjen e merituar një qeverie çnjerëzore. Aq më tepër kur rëndohet shëndeti i grave dhe gjithë grevistëve. Korrupsioni pa fre dhe mungesa e përgjegjësisë ndaj jetës së njerëzve dhe problemeve të tyre është një dimension i përditshëm i kësaj qeverie dhe presidenti për të gjithë neglizhencën që bëhet jo vetëm grave naftëtare, jo vetëm naftëtarëve, jo vetëm minatorëve, jo vetëm gjithë shpresave më të përvuajtura të shoqërisë sonë të cilat kanë kontribuar kaq shumë për zhvillimin e ekonomisë, zhvillimin e vendit, Presidenti do të gjejë kohën e duhur për ti dhënë përgjigjen e duhur së bashku me gjithë popullin shqiptar. Megjithatë unë shpresoj që të ketë një dialog sa më parë të jetë e mundur, humbja e jetës apo shëndeti i çdo qytetari apo qytetareje do të ishte një përgjegjësi tepër e rëndë e qeverisë aktuale, në veçanti e Kryeministrit.

LEXO EDHE: Dita e 23 e grevës, naftëtaret sërish thirrje kryeministrit: Na jep zgjidhje, nuk durojmë dot më

https://youtu.be/NzEde37MOeo
https://youtu.be/Ok6RU5o5bBk