Mbyllet kopështi në Shkodër/ Prindërit në protestë: Askush nuk na ka dhënë sqarime
Prindërit e kanë nisur mëngjesin me protestë, ndonëse do të duhej të ishte një ditë normale për ta që pas dërgimit të fëmijëve në kopsht apo shkollë, të nisnin punën.
Por kjo nuk ka ndodhur me këtë komunitet prindërish në Shkodër, të cilët protestojnë për shkak se prej disa ditësh kopshti brenda mjediseve të shkollës 9 vjeçare “Ndoc Mazi” është mbyllur. Fëmijët duhet t’i dërgojnë diku tjetër, disa kilometra me larg dhe me pagesë, ndryshe nga sa ndodhte në këtë kopësht shtetëror.
“Ky është turpi i botës të luash me popullin kështu për interesa të ndonjërit që ka interes që të fusë dikë në punë. Na mbetet t’i çojmë fëmijët në kopsht me pagesë, por ne nuk kemi fuqi”
“Absolutisht nuk kanë dhënë asnjë sqarim dhe asnjë fjalë, asgjë. Ne kemi ardhur dhe kemi bërë pagesën dhei kemi regjistruar fëmijët”, tregojnë familjarët e fëmijëve.
Askush nuk ju ka dhënë sqarime, por është vendosur largimi i edukatores dhe për çudi pasi ka nisur viti i ri shkollor, është ndërmarrë një lëvizje e tillë. Të gjendur përballë kësaj situate kanë vendosur të mos i dërgojnë të vegjlit në kopësht.
“E kërkojmë me këmbëngulje. Ne fëmijët i heqim që të gjithë prej kësaj shkolle dhe i lëmë pa shkollë ose na e sillni mësuesen këtu sikur e kemi pasur vazhdimisht”
“Unë kam djalin e djalit këtu dhe nëse ma heqin fëmijën nga këtu, unë detyrimisht duhet të heq nga shkolla edhe katër fëmijët e tjerë pasi nuk jam në gjendje që t’i ndjek”
“Ne kemi fëmijët këtu tek kopshti, kemi edhe shtëpinë afër, edhe kopshtet e tjera janë me pagesë. Derisa të na sqarojnë, unë si prind nuk do ta dërgoj fëmijën tim në asnjë kopësht tjetër”, shprehen familjarët e fëmijëve.
Në bashkinë Shkodër nuk kanë pranuar të flasin për këto lëvizje, ndërsa mbyllja e kopshtit pas afro 50 vitesh egzistencë, rrezikon të pasojë edhe mbylljen e shkollës “Ndoc Mazi” e çelur në vitin 1928. Kjo pasi klasat e para të hapura çdo fillim viti shkollor janë furnizuar nga fëmijë të dalë prej këtij kopshti.
