"Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë", Rama sërish mesazh grevistëve të Ballshit: Mbyllni grevën dhe do jem aty menjëherë
Kryeministri Edi Rama ka shkruar sërish një mesazh për naftëtarët e Ballshit.
Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje të mbyllin grevën dhe do shkojë direkt të to.
Sakaq Rama u ka sugjeruar që të mos gënjehën nga "krokodilët që lotojnë", siç i quan ai, të cilët sipas tij duan t'i përdorin kundra qeverisë.
"Të dashura motra greviste të Ballshit!Askush nuk ju kërkon të dorëzoheni, qeveria nuk është armiku po aleati juaj dhe askush nuk ju ofron lëmoshë, ne jemi gati të qajmë hallin tuaj së bashku! E vetmja pengesë mes nesh është greva juaj. Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë!
Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t'ju përdorin kundër qeverisë!Qeveria është e juaja,por nuk mund të bisedojë me ju nën presion e me ultimatume! Grevat bëhen për t'u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje. Ne ju kemi dëgjuar e po ju presim juve!", shkruan Kryeministri në Twitter.

Mëngjesin se sotëm deputetja Rudina Hajdari vizitoi ambientet dhe gratë greviste. Ajo u tha se ishte e drejta e tyre për të mos dalë nga greva.
Naftëtaret gra janë në ditën e 15 të grevës dhe situata e tyre shëndetësore nuk paraqitet fare e mirë.