Zani Çaushi nis “betejën” për lirinë, avokati: Nëse njihen 31 vite burg, mund të dalë nga qelia

Gykata e Korçës nisi shqyrtimin e kërkesës së Myrteza Çaushit për rillogaritjen e viteve të burgimit, ku avokati i kreut të bandës së Vlorës la të hapur mundësinë se në fund të procesit ai mund të dalë nga qelia me liri me kusht. Por e gjitha do të varet nga ecuria e procesit, ku Myrteza Çaushi thotë se ka vuajtur 31 vite në qeli.

Myrteza Çaushi nisi zyrtarisht betejën ligjore në Gjykatën e Korçës për rillogaritjen e viteve të burgut, në një proces që mund të përfundojë deri në lirimin me kusht të ish kreut të Bandës së Vlorës të dënuar me burgim të përjetshëm.

Këtë të enjte gjyqtari Ervin Sula  i kërkoi Burgut të Drenovës të paraqesë të gjitha aktet e dosjes së Çaushit, i cili përmes avokatit Artan Lena pretendon se ka vuajtur deri më tani 31 vite burg, e jo 25 sa i njihen.

“Nëse kjo përllogaritje është e saktë, atëherë i bie që Myrteza Çaushi të ketë vuajtur 31 vite e 3 muaj burgim, që do të thotë që në mënyrë taksative e ka përmbushur afatin e kërkuar nga neni 65, për lirimin me kusht. Mund t’i drejtohet çfarëdolloj gjykate për të kërkuar lirimin me kusht", ka thënë avokati Lena.

Nëse ka përllogaritje të saktë ai përmbush afatin për lirim me kusht, pretendon avokati i cili thotë se ky proces mund të shërbejë si precedent edhe për të dënuar të tjerë.

“Kjo do të jetë një koicidencë edhe për shumë të dënuar të tjerë për të patur një llogaritje të saktë të kohës së vuajtjes së dënimit.”

Më herët e njëjta gjykatë i hoqi Zani Çaushit, një masë disiplinore, duke i pastruar dosjen e qëndrimit në burg, ç’ka ëshë kriter për të fituar lirinë me kusht.

Këto lëvizje, u paralajmëruan më 17 korrik kur Zani Çaushi u tërhoq nga kërkesa për lirim me kusht, duke ndryshuar strategji.