Bulevardi 1 miliardësh i Peshkopisë/ Shkërmoqet investimi i “Rilindjes urbane”

Plot 845 mijë euro kushtoi rehabilitimi i rreth 600 metrave linear të bulevardit “Elez Isufi” në qytetin e Peshkopisë, investim i vitit 2016 në kuadër të programit të qeverisë shqiptare, “Rilindja Urbane”.

Pllakat e gurit dekorativ në disa pjesë janë dëmtuar ose kanë lëvizur nga vendi duke u kthyer nga pengesë në rastin më të mirë, e deri në rrezik për këmbësorët kryesisht në stinën e dimrit.

"Nuk ka cilësi. Kur s'ka cilësi nuk ka të mira"

"Nuk është mirë kështu. Një plak, një i moshuar, mund t'i hasë këmba dhe të rrëzohet aty. Nuk ka cilësi, sigurisht", shprehen qytetarët.

Nisja e degradimit të një investimi gati 1 miliardësh në një kohë kaq të shkurtër për banorët e Dibrës është tregues i abuzimit me cilësinë.

"Po të ecësh këtu kur është shi ose borë, këtu duhen çizme detyrimisht, aq skandal është. Edhe këtu ka vepruar ai i mallkuari korrupsion"

"Ky ka qenë një tender që e kanë fituar këta hajdutët dhe e keni parasysh çfarë del nga hajduti me hajdutin bashkë. Cilësia nuk ekziston këtu në Dibër. Nuk ekziston sepse këtu janë hajduta të gjithë", shprehen qytetarët.

Bulevardi “Elez Isufi” është përdorur gjithmonë si pedonale nga banorët e Peshkopisë, të cilët veçse denoncojnë abuzimet e dyshuara të së shkuarës, kërkojnë marrjen e masave për riparim sa më parë.