Çështja e Detit/ Meta: Qëndrimi im, larg lojërave politike për spostim vëmendjeje

Gjatë konferencës për mediat nga selia e presidencës, kreu i shtetit Ilir Meta, i pyetur për vendimin e dy qeverive për ta çuar në Gjykatën e Hagës çështjen e detit, u shpreh se, qëndrimi i tij për këtë çështje ka qenë i qartë dhe nuk ndryshon.

"Sjellja ime për këtë çështje do të jetë gjithmonë shtetërore, kushtetuese dhe e përgjegjshme. Larg lojërave politike për spostim vëmendjeje apo për krijim tensionesh artificiale. Marrëdhëniet e mia janë të mirëdokumentuara me qeverinë tonë, me institucionet tona, me kryetarin e Kuvendit e kështu me rradhë. Unë pres, në respekt të atij bashkëpunimi të përgjegjshëm që unë kam treguar përgjatë gjithë kësaj periudhe, të kem të njëjtin reagim e të njëjtin bashkëpunim", tha Meta.

Ditën e djeshme, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis bëri një deklaratë të fortë në parlamentin e vendit të tij teksa u shpreh se, Greqia do zgjerohet me 12 milje në Detin Jon e pastaj çështja do të shkojë në Hagë.

“E drejta për të zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e njëanshme e vendit. Nuk diskutohet, nuk kushtëzohet”, u shpreh ndër të tjera Mitsotakis.