BOOM - Tërmeti u dëmton shtëpinë, shteti ua lë jashtë programit të rindërtimit
BOOM udhëtoi drejt Peqinit, në fshatin Kodërz, në familjen e Astrit Hoxhës.
Ai na tregon se tërmeti u ka dëmtuar banesën.
Fillimisht i shtatorit e më pas i nëntorit akoma më shumë. Ai jeton me frikë bashkë me të shoqen. Të çarat e mëdha në mur shihen ngado në shtëpinë e vjetër.
Ai thotë se kanë ardhur nga Bashkia për ta parë, por nuk ka marr përgjigje. Ai nuk di të na thotë nëse ka një përgjigje që shtëpia është apo jo e banueshme.
"Na thanë se janë bërë letrat. Unë kam frikë që të rri brenda. Kur bie shi dalim jashtë se kemi frikë. Shkova te vëllai."
Në familjen Hoxha ka pllakosur edhe varfëria. E zonja e shtëpisë na tregon se jeton me frikë a do gdhihet të mesmen.
Vazhdimisht bien copëza mbi krevat në dhomën e gjumit ku flenë, pasi djali me nusen e nipin i kanë larguar nga banesa.
"Ne këtu jetojmë 5 veta, por nipin me nusen i kemi larguar se kemi frikë se na zë poshtë."
Ajo thotë se kërkon vetëm ta ndihmojnë për shtëpinë e të bashkohen me djalin e nipin. Borxhet e shumta e kanë mbytur familjen.
Bashkëshorti punon kur del ndonjë punë e nuk kanë të ardhura, ndërsa i biri merr një asistencë.
BOOM shkoi në bashkinë Peqin për të marrë informacion për rastin e familjes Hoxha.
Shefi i emergjencave në bashkinë Peqin, Gentian Hima, në një intervistë shpjegon se e njeh rastin e kësaj familje dhe ka shkuar për ta parë vetë.
Ai pohon se shtëpia është shumë e dëmtuar, por as ata vetë nuk kanë një përgjigje nëse është apo jo e banueshme banesa pasi në organikën e bashkisë nuk kanë një përgjigje.
Bashkia e Peqinit është një bashki e vogël dhe sipas tij i është ofruar ndihma fillimisht një çadër që familja se ka pranuar dhe më pas të strehoheshin në ambulancën e fshatit, por as kjo nuk është pranuar.
Ai shpjegon se Peqin nuk është në perimetrin ku është shpallur gjendja e emergjencës nga tërmeti që përfshin qarkun Durrës, Tiranë, Lezhë, dhe si rrjedhojë veprojnë me procedurë më të ngadaltë, me ligjin e emergjencave civile.
Ai premtoi se shumë shpejtë do të përpilojë dosjen e familjes Hoxha për të marr dëmshpërblimin.