Maskat me detyrim jashtë/ Falen shkelësit, policia mjaftohet me këshillime në ditën e parë
Këtë të enjte, 15 tetor, policia është mjaftuar me këshillimin e personave që nuk mbajtën maskë. Masat ndëshkuese dhe alarmi për rritjen e shifrave të prekur ka bërë që në Tiranë të rritej ndjeshëm numri i banorëve që vendosën maskën. Madje disa pohojnë se e mbajnë për shkak të frikës nga gjoba, e disa të tjerë për frikën e koronavirusit.
E enjtja ka bërë që qytetarët e Tiranës të dalin në rrugë me maska dhe barriera mbrojtëse prej tekstili.
Pjesa më e madhe e tyre i janë bindur urdhrit të qeverisë për mbajtjen e kësaj barriere dhe në ambjentet e jashtme.Të rrallë janë ata që janë ende të pabindur.
Po ashtu në rrugë kishte zbarkuar edhe Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake. Mësohet se në ditën e parë të vendimit, masat ndëshkimore kanë qenë të pakëta, ku efektivët janë ndalur te këshillimi.
Ndërgjegjësimi u vu re nga çdo grup moshë dhe në çdo rast, madje edhe në disa raste kur nuk është e nevojshme.
Mbajtja e maskës edhe në biçikletë nga disa bëhet për shkak të paqartësisë për rastet përjashtimore.
"Nga frika mos na gjobisin, nuk e dëgjova mirë dhe thashë mos hamë ndonjë gjobë."
Lexo dhe: “Maskat me detyrim” Neglizhojnë qytetarët e rretheve
Të moshuarit thonë se maskën nuk e mbajnë nga frika e gjobës, por nga frika e koronavirusit.
"Maskën e mbajmë se duhet mbajtur. Duhen zbatuar të gjitha rregullat çfarë thotë mjekësia dhe çfarë thotë qeveria."
"Jam në moshën 70 vjeç dhe nuk kam asnjë problem, se duhet mbajtur."
"Që kur ka filluar dhe deri sa të mbarojë kam për ta mbajtur se jam 68 vjeç, me 4-5 lloj ilaçesh. Më intereson mua."
Por ka të tjerë që i tremben vetëm kontrolleve, megjithëse kujtojnë edhe gjobat e falura më herët në situatë pandemie.
"Nga gjobat se nuk i përballojmë dot."
"Nga gjobat, për tjetër nuk kemi pse ta mbajmë."
"Këta ti vënë gjobat dhe ti falin prapë, kam dëgjuar unë."
Nuk kanë munguar as rastet kur mundohen ti fshihen detyrimit, duke zbuluar hundën dhe gojën.
Të vetmit që janë të qetë nga kontrollet, janë vetëm ata që konsumojnë një kafe.
Lexo dhe:
Gjoba për maskat? Rama: Duhet të ishin më të larta, kemi zgjedhur të jemi tolerantë