Përfundon afati i vlefshmërisë: MB thirrje qytetarëve: Aplikoni për dokumentet biometrike
Me afrimin e fundit të vitit, shumë qytetarëve u përfundon afati i vlefshmërisë së kartës së identitetit apo pasaportës, ndaj Ministria e Brendshme i kërkon qytetarëve të nxitojnë të aplikojnë.
Kjo kërkesë bëhet pasi fillimi i viti të ri pritet të shoqërohet me kufizime të mëdha për ata që nuk kanë një kartë të vlefshme, për arsye se shumica e shërbimeve që ofrohen lidhen me një kartë të vlefshme. Autoritetet u kërkojnë qytetarëve të nxitojnë të aplikojnë për rinovimin e dokumenteve biometrike duke qenë se dhe vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Pajisja me kartë identiteti dhe pasaportë është një proces i gjatë që nga zyrat e aplikimit në gjendje civile, për të mbërritur më pas në zyrat e Aleat, ndaj për autoritetet është i rëndësishëm aplikimi në kohë.
Shumë kartave identiteti dhe pasaporta u mbaroi afati i përdorimit përgjatë vitit 2020, por qeveria vendosi të shtyjë afatin e vlefshmërisë deri në fund të viti.
Shkak për këtë shtyrje u bë mbyllja e institucioneve nga situata e krijuar nga pandemia, ndaj për shumë qytetarë ishte e pamundur të kryhej aplikimi.
Pak muaj më herët nga Ministria e Brendshme u propozua që do të ketë karta identiteti pa afat për të moshuarit mbi moshën 75-vjeç, ku do përfitojnë 150 mijë persona.