Akuzat/ Rama-Bashës: Sa më shumë të qash për plehrat që po pastrohen, aq më shumë do mërzitesh në 25 prill
Pas akuzave të para pak minutave të kryetarit të PD, Lulzim Basha, sipas të cilit mafia e plehrave, e lidhur me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij, po vjedh paratë e shqiptarëve në mes të pandemisë, vjen dhe reagimi i shefit të mazhorancës.
Përmes një postimi në Twitter, Rama, teksa bën ironi me konferencat e kryedemokratit, shkruan se, "sa më shumë do vuash në sytë e tyre duke qarë për plehrat që po pastrohen, aq më shumë do mërzitesh në 25 prill".
Edi Rama: "Po ç'është ajo sallë dasmash ku i bëke konferencat o Lulëzim?!Të ndoqa pak sot e u habita, qesharake shumë salla dhe ti si dhëndërr i inatosur që klithje pse po pastrohet Shqipëria nga plehrat! Po si mund të jesh kaq nostalgjik për plehrat që i bëre mal në Tiranë e ndote dynjanë!
Po si mund t'u thuash shqiptarëve që mafia po pastron Shqipërinë nga haletë gjigande në mes të qyteteve më të mëdha të vendit e nga helmet që pushtuan ajrin me dekada në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e gjetkë?! Po pse kështu do bëhesh KM ti o miku im Artist, me plehrat në gojë?!
E ke dëgjuar mirë nga unë, se ta kam thënë shpesh, shqiptarët s'janë budallenj, po ajo që s'kupton ti kur e thua këtë është se shqiptarët s'kthehen më tek plehrat o Lul!Sa më shumë do vuash në sytë e tyre duke qarë për plehrat që po pastrohen,aq më shumë do mërzitesh në 25 prill!"

Pak më herët, në një bashkëbisedim me gazetarët, Lulzim Basha hodhi akuza të forta lidhur me inceneratorët.
Madje ai bëri edhe një apel të fortë drejtuar SPAK duke kërkuar hetime të menjëhershme për atë që ai e quajti "Vjedhja e Shekullit".
“75 milionë euro të shqiptarëve janë përpirë në këto momente dhe Struktura e Posaçme nuk ka anti-Korrupsion nuk lëviz as gishtin. Nuk lëviz gishtin. Çfarë janë këta? Janë pazotë, janë të frikësuar? U çuan atje si ndër më të aftët e prokurorëve. Ju është dhënë mbrojtje special kundër mafias. Marrin rroga të majme, sot duhet të japin përgjegjësi ndaj shqiptarëve, ose të japin dorëheqjen të gjithë", tha ndër të tjera kreu i PD, Lulzim Basha.
/a.r, OraNews