"Rama gënjen si derr"/ Basha: Po të zbatojë "Planin me 5 pika" s'i merr dot baulet e eurove nga mafia e plehrave

Koncesionet e inceneratorëve dhe miliona euro të paguara ishin sërish në vëmendje të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Sipas tij, nëqoftëse qeveria do të zbatonte “Planin e Rimëkëmbjes” nuk do kishte mundësinë të vidhte milionat me mafien e plehrave. Kreu i opozitës i bëri thirrje SPAK të hetojë, ndryshe tha ai, prokurorët duhet të dorëhiqen.

Lulzim Basha i ka drejtuar një apel të fortë Prokurorisë së Posaçme, duke i kërkuar që të nisë hetime të paanshme për atë që e quan afera 400 milion euro e plehrave. Ai tha se spak duhet të bëjë detyrën ose prokurorët të dorëhiqen.

Basha: I drejtohem përsëri Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion. Justifikoni ekzistencën tuaj!Keni marrë miliona nga taksapaguesit shqiptarë, taksapaguesit amerikanë, taksapaguesit europianë. Sot është momenti të çoheni për bukën e gojës së fëmijëve shqiptarë e mos tê fshiheni e të flini mbi dhjetëra denoncime dhe dosje të korrupsionit. I bëj thirrje SPAK-ut të nisë dhe të njoftojë urgjentisht progresin e hetimeve për aferën 400 milionë të mafias së plehrave. Ja ku janë të dhënat, raporti i KLSH për aferën e inceneratorëve mafias së plehrave. Kjo është vetë Ministria e Financave, vete Ministria e Financave.

Basha akuzoi ashpër qeverinë se paratë e buxhetit po i jep në mënyrë korruptive për inceneratorët, duke lënë vendin dhe qytetarët të zhyten në varfëri.

 Basha: Mafia e inceneratorëve, e cila ka në përbërjen e saj Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Erion Veliajn, figura të krimit të organizuar si Klodian Mërtiri me shokë, sot vazhdon të marrë miliona euro që duhet të shkonin sot për të paguar minimumin jetik për mbi 100 mijë shqiptar që e humbën vendin e punës. Për të dhënë atë çekun prej 1 mijë euro për bizneset e vogla që Kosova po e bën me një paketë prej 60 milionë eurosh.


Kreu i opozitës, në ditën që hyri në fuqi akti normativ, në komunikimin me gazetarët u paraqit me maskë dhe i bëri thirrje të adoptojë planin e tij me 5 pika.

Basha: Paratë e taksapaguesve, kurrë më shumë se sot nuk janë të domosdoshme për të ndihmuar ata taksapagues, ata njerëz që numërojnë kacidhet për të blerë ilaçet. Që shtojnë listat për të marrë ushqimet. Që janë në kufijtë e dëshpërimit absolut që mund të ndjejë një prind kur nuk arrin të plotësojë nevojat më minimale jetike për fëmijët. Përgjigjja cinike nuk tregon vetëm papërgjegjshmëri, por vetëm kriminalitet.

Pyetje: Z. Basha keni më shumë se dy javë që keni prezantuar planin tuaj me 5 pika, por nga ana tjetër kryeministri Rama shprehet se nuk e ka dëgjuar këtë plan. A jeni i gatshëm ju z.Basha që të bëni një debat publik me kryeministrin për të folur për këtë çështje, e cila është mjaft e rëndësishme për kohën që po jetojmë?

Lulzim Basha: E para e punës që gënjen si derr! Sepse siç e shikon kur është puna për të bërë karagjozllëqe që e karakterizojnë, 22 vjet me karagjozllëqe e ka shtyrë, atëherë rri me laps në dorë dhe merret me lapsuset e mia. Pra, nuk është e vërtetë që nuk e ka dëgjuar planin. E ka dëgjuar. Gënjen si derr! Se pse gënjen besoj e keni të qartë. Se po të zbatojë këtë plan nuk i merr dot baulet e eurove nga mafia e plehrave dhe nga klientët e rrugëve të florinjta.

Lulzim Basha tha se mjekimi  për një person kushton 600 mijë lek, ndaj ai  kërkoi rimbursim për çdo person të prekur nga Covid-19.

https://youtu.be/4TJx_v9K6XQ