Vrasjet mafioze në Elbasan, burimet: Dumani dhe Kapllani ekzekutuan Emiljano Ramazanin, më pas Dumani vrau shokun e tij Kapllanaj

Zbardhen detaje të reja nga vrasjet mafioze në Elbasan. Nuredin Dumani, i shpallur në kërkim për vrasjen e taksistit 62-vjeçar Bujar Çela, vëllai i grabitësit të Rinasit Talo Çela, 3 javë më parë në Bradashesh, dyshohet edhe si autor i ekzekutimit të 39 vjeçarit Emiljano Ramazani me 20 korrik të këtij viti në Elbasan.

Për vrasjen e tij ai ka bashkëpunuar me Klevis Kapllanin, 33-vjeçarin nga Sinaballaj i Rrogozhinës që u gjet i vrarë mëngjesin e 15 shtatorit brenda në automjetin e tij. 

Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se ka përputhshmëri karakteristikash të Klevis Kapllanaj me autorin që qëlloi mbi 39-vjeçarin.

Bazuar në pamje filmike dyshohet se Klevis Kapllani mund të jetë ekzekutori i Emiljano Ramazanit.

Klevis Kapllani ishte shok i ngushtë me Nuredin Dumanin, i akuzuar edhe për ngjarjen e vrasjes në Shkozet të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia nga Puka.

Ata janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj, dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga policia, ata shoqëroheshin bashkë në publik.

Pas ekzekutimit të Ramazanit, që dyshohet se e kanë kryer bashkë, marrëdhëniet e tyre janë përkeqësuar për një sasi parash.

Dyshohet se pikërisht ky konflikt i lindur mes tyre, të jetë bërë shkak që Nuredin Dumani të ketë ekzekutuar shokun e tij për të humbur gjurmët në lidhje me ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

Klevis Kapllani dyshohet të jetë edhe personi që vendosi armën në servisin në pronësi të Albert dhe Seit Manahasës në qytetin e Peqinit.