BOOM - Fshati Kullë pa mjek familje me orar të plotë, mjekja ikën në Gjermani

Qamil Lame nga fshati Kullë, Sukth ankohet në emisionin BOOM pasi nuk kanë mjek familje.

Ai thotë se duan doktor, siç kanë pasur më herët në këtë qendër shëndetësore.

Lame: Doktori që ka qenë më parë ka qenë shumë më i mirë. Mjeku u vjen në orën 12 dhe për dy orë punë, nuk ka çfarë të bëj. Këtu është një popull mbi 2800 banorë. Ne duam që të kemi një doktor që të rrijë gjithë ditën. Kam gruan sëmurë nga sytë, vetë nga sytë e tensioni, e zemra. Ka 15 ditë e mos më shumë ky muhabet. Gjithë ky popull, të na sjellin një doktor.

BOOM shkoi të informohej në ambulancën e fshatit Kullë, ku infermierja Cufaj sqaroi situatën. Sipas saj, pacientët nuk kanë ngelur pa marrë shërbimin.

Pas largimit të mjekes për punë në Gjermani, fillimisht e zëvendësoi drejtori.

Ndërsa tani, mjeku që ofron shërbim, është mjeku që punon në Hamallaj.

Infermierja Eglantina Cufaj: Numri i pacientëve që marrin trajtim shëndetësor në këtë klinikë është rreth 2800 banorë. Ka shumë kronikë, mungon pjesa që t'u shkosh në shtëpi. Ne nuk jemi vetëm në orën 2, jemi edhe më pas. Erdhi një mjek pasi doktoresha u largua në Gjermani. Mjeku që punon këtu, punon edhe në Hamallaj, ai është mjek familje atje. Jep shërbim atje nga ora 7:30 deri në 12, pastaj deri nga ora 14 vjen jep shërbim këtu. Nuk është e mjaftueshme, por e ofron shërbimin dhe ne jemi këtu tërë kohës. Duhet nevoja e një mjeku, por ka qenë çështje ditësh. Rekomandimet i japim me telefon, flasim me drejtorin, siç vepruam në kohën e pandemisë."

Ndërkohë, drejtori i qendrës shëndetësore në Sukth, Mirjan Beu shprehet se është dërguar kërkesa për vendin vakant të lënë nga mjekja.

Mirjan Beu: Mjekja është larguar në Gjermani për punë, e sipas procedurës ne bëjmë kërkesë dhe është vendi vakant, por nuk është shpallur një fitues. Për një periudhe e kam mbuluar vet shërbimin me 2, 3 herë në javë,  ndërsa tani shërben mjeku që punon në Hamallaj. Kjo situatë ka një muaj dhe nuk ka akoma një fitues për atë vend pune. Çdo emërim mjeku vjen nga portali. Shërbimi jepet nga mëngjesi në darkë nga shërbimi infermieror.