Manastirliu: Dyfishojmë ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare, trajtim në shtëpi i rasteve ambulatore

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë takimit me ekipet e reja të urgjencës, u shpreh se ekipet e urgjencës në terren do të dyfishohen.

Duke u shprehur se Urgjenca Kombëtare ka përballuar një fluks të konsiderueshëm, Manastirliu siguroi mbështetjen për ekipet e urgjencës mjekësore.

“Dyfishojmë ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare, për t’u përballuar edhe me një sfidë tjetër, që është sfida e trajtimit në banesë sipas protokolleve të reja që po miraton Komiteti Teknik i Ekspertëve për trajtimin në shtëpi të rasteve ambulatore. Padyshim vjeshtë-dimri nuk do të jetë i lehtë por jemi përgatitur brenda mundësive tona, jo vetëm me kapacitetet që disponojmë por edhe me stafin e shtuar, ku edhe gjatë periudhës së epidemisë janë 45 personel që i janë bashkuar ekipit të Urgjencës Kombëtare, si edhe mbështetja logjistike nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë. Edhe 36 autoambulanca të reja do t’i shtohen Urgjencës Kombëtare brenda vitit për të garantuar një shërbim më të mirë, më të shpejtë për qytetarët, sidomos në situatën e epidemisë.

Ndërkohë, drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj deklaroi se po vijojnë trajnimet për ekipet mjekësore në të gjitha nivelet, për t’ju përgjigjur situatës.

“Po vijojmë me trajnimet jo vetëm të ekipeve të reja por të të gjithë stafit mjekësor, duke filluar nga mjekët e familjes. Ndërkohë, në bashkëpunim me mjekun e familjes dhe linjës 08004040 që bën lidhjen e menjëhershme me mjekun e familjes, do të integrojmë shërbimin në banesë. Në momentin që pacienti përkeqësohet ose në momentin që pacienti ka marrë një kurim të përcaktuar nga specialisti mund të bëhen trajtime në banesë. Prej 3 vitesh ne kemi setin e plotë të urgjencës dhe i kemi të gjitha pajisjet. Kemi porositur të gjitha medikamentet që kemi porositur në bazë të protokollit përsa i përket trajtimit dhe të formës së mesme nga ekipet tona.”