Maska, gjoba nuk rrit kërkesat

Kur kanë mbetur më pak se 48 orë nga hyrja në fuqi e vendimit për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në ambiente të hapura, në farmaci fluksi i të interesuarve vijon të jetë i njëjtë, megjithëse me një rritje të vogël për shkak të fillimit të shkollës.

Farmacistët thonë se veç institucioneve arsimore, janë edhe bizneset private që detyrojnë punonjësit dhe qytetarët t'u drejtohen farmacistëve për maska.

I vetmi efekt që ka krijuar vendimi i qeverisë deri tani është marrja e masave nga farmacitë për furnizim me maska me qëllim për t'iu përgjigjur rritjes së kërkesës.

"Jemi përpjekur që të jemi të përgatitur për këtë situatë. Kemi marrë masa që edhe ne të kemi sasi për të mbuluar kërkesat e të gjithëve që do të vijnë dhe do të paraqiten para farmacisë tonë për të kërkuar maska", shprehet farmacistja.

Ndërkohë farmacistët apelojnë prindërit të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhjen e maskës për fëmijët.

"Maskat kirurgjikale normale, si madhësi janë pak të mëdha për fëmijët dhe për këtë arsye janë edhe maskat për fëmijë. Janë i njëjti format, me të njëjtat filtra ose shtresa mbrojtëse të themi, por që janë tamam madhësia e duhur për fëmijët", tregon farmacistja.   

Ajo që vihet re që prej fillimit të pandemisë është ndryshimi i çmimit të maskave. Në muajt e fundit është vënë re një ulje e çmimi, që varion nga 30 deri në 250 lekë.

"Variojnë që nga 200, 500, 1 mijë lek, gjithmonë me të vjetra. Maskat që janë me filtër, që nga K95, apo edhe ata që janë edhe më të sofistikuara të themi kanë dhe çmime më të larta", tregon farmacistja.  

Sipas një përllogaritje me çmimet e tregut, një familje me 4 anëtarë, nëse do të marrë nga 2 maska 30 lekëshe për secilin person në një ditë, shpenzimi mujor shkon deri në 7200 lekë të rinj.