“Bie komisariati dixhital", opsionet për denoncimet e veprave penale të rënda jashtë shërbimi
Policia e Shtetit vazhdimisht apelon qytetarët që të denoncojnë problemet e tyre nëpërmjet platformës online komisariati dixhital, por ditët e fundit janë vënë re probleme në funksionimin e aplikacionit. Opsionet më të rëndësishme për denoncimin e veprave penale të rënda janë jashtë shërbimit, ndërsa të vetmet që punojnë janë ato të parkingut të gabuar dhe ndërtimeve pa leje.
Policia e Shtetit po humb një nga rrugët kryesore të komunikimit me publikun dhe me qytetarët për shkak të mosfunksionimit të Komisariatit dixhital.
Platforma elektronike e krijuar në vitin 2015 ishte një prej formave më të promovuara nga Policia e Shtetit për denoncime nga qytetarët.
Aplikacioni mundësonte dërgimin e denoncimit me foto, video dhe me adresë duke i ofruar qytetarit edhe mundësinë e verifikimit të ecurisë së ankesës.
Në këtë aplikacion ofrohej mundësia e denoncimit në 6 opsione sipas shkeljes për parkimet e gabuara, ndërtimet pa leje, korrupsionit, armëmbajtjes pa leje, vjedhjeve si dhe ankesa të tjera.
Prej disa ditësh opsionet më të rëndësishme, të veprave penale më të rënda që mund të denoncohen kanë dalë jashtë funksioni.

Aktualisht aplikacioni funksionon vetëm në opsionet për parkingjet e gabuara dhe denoncimet e ndërtimeve pa leje.
Mundësia për denoncime të tjera të veprave penale më të rënda, si korrupsioni, vjedhja apo armëmbajtja pa leje kanë dalë jashtë shërbimit për arësye që nuk dihen.
Siç shikohet nga këto pamje pavarësisht se kalojnë minuta të tëra nga nisja e denoncimit, ankesa nuk regjistrohet në sistem madje edhe aplikacioni bllokohet duke qëndruar në pritje.
Ajo që bie në sy është numri i lartë i qytetarëve që kërkojnë të depozitojnë ankesat e tyre, por përfundojnë duke u ankuar për mosfunksionimin e platformës.
Një pjesë e tyre madje shkruajnë se për shumë denoncime që kanë kryer, nuk kanë marrë jo vetëm zgjidhje por as përgjigje.
