Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ndryshimet në Kodin zgjedhor bien ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bërë në datë 5 tetor 2020.

KSHH shpreh shqetësimin e tij se shtesat në Kod bien ndesh me parimet e barazisë dhe mosdiskrimimit.

"KSHH mendon se shtesa e mësipërme që i është bërë nenit 67 të Kodit Zgjedhor bie ndesh me parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit që parashikon neni 18 i Kushtetutës sonë dhe neni 14 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ-së). Rregulli që sanksionohet në ligj se kandidati për deputet mund të regjistrohet vetëm në një zonë zgjedhore, është i drejtë dhe i ligjshëm, por përjashtimi për kryetarët e partive është kompromis që bie ndesh me parimet e përmendura më lart.

KSHH mendon gjithashtu se një kompromis i tillë ka qenë tepër i nxituar sepse është anashkaluar trajtimi i këtij problemi në Raportin e OSBE/ODHIR-it të 14 shtatorit 2009 lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Në këtë Raport, midis të tjerave thuhet se Kodi Zgjedhor (është fjala për Kodin e ri Zgjedhor të miratuar në Dhjetor 2008) vazhdon të ketë dispozita të paqarta dhe të mjegullta."

KSHH shton se një përjashtim i tillë për kandidimin e kreut të partisë në disa zona zgjedhore nuk ka pse bëhet.

"Në këtë vështrim, përmendet në mënyrë të veçantë neni 67, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor që i lejon krerët e partive politike të kandidojnë në aq zona sa dëshirojnë. Vlen të përmendet se Rekomandimi i mësipërm, u konsiderua i drejtë dhe u reflektua në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor të vitit 2012 ku në pikën 4 të nenit 67 thuhej:

“Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumëemërore në një zonë zgjedhore ose kandidati për Këshillin e Bashkisë, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish”. 

Përjashtime nuk ka arsye të bëhen: Kryetari i Partisë apo i partisë udhëheqëse të koalicionit i regjistruar në listën shumëemërore ka të njëjtin status ligjor: atë të kandidatit si dhe kandidatët e tjerë."