Përplasja Kryeministër-President, Kryemadhi: Lista e dështimeve të Ramës më e madhe se e votuesve, Meta vizionar

Prej ditësh, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta janë përfshirë në polemika në distancë me akuza dhe kundërakuza mes tyre.

Në këtë betejë verbale me Metën, kryeministri Rama ka përfshirë edhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, njëherësh bashkëshortja e Presidentit.

Në një intervistë për Rtv Ora, Kryemadhi tha se duke parë situatën dhe rrjedhën e zhvillimeve për herë të parë i jep të drejtë Ilir Metës që u zgjodh President.

Ndërsa për Ramën ai thotë se gjithmonë është ndjerë inferior ndaj Metës, që kur ishte Ministër Kulture i qeverisë së tij.

Kryemadhi: Nuk flas dot për presidentin Meta. E kam kuptuar gjithmonë ndjenjën e inferioritetit të Edi Ramës ndaj Ilir Metës që kur ka qenë Ministër Kulture në qeverinë e Ilir Metës e me radhë. Që kur e propozoi dhe suportoi për Kryetar Bashkie. Ndjenja e inferioritetit të Edi Ramës ndaj Ilir Metës jo vetëm që nuk është pakësuar, por përkundrazi është shtuar. Sado i pasur dhe i rrethuar të ndihet nga taborët e vet të krimit dhe të drogës, do të vazhdojë ti shtohet. Sa i përket reagimit të Ilir Metës si President, nuk kam arsye ta gjykoj sepse sot më shumë se kurrë, nëse deri dje kam qenë kundër zgjeshjes së Ilir Metës si President, sot kam menduar që ka qenë një nga zgjedhjet më të mira. Kjo ka treguar se Ilir Meta në politikë ka qenë vizionar sepse ka menduar se pas 2017 do të kishim një situatë të tillë kaotike. I vetmi institucion legjitim sot është institucioni i Presidencës, të gjitha të tjerat kanë rënë. Edhe ato institucione që në mendojmë se duhet të jenë të pavarura janë të kapura nga grupet kriminale dhe sekte të caktuara politike të lidhura me krimin e organizuar.

E pyetur nëse Presidenti po bën më shumë opozitë se vetë PD-LSI, Kryemadhi ka këtë përgjigje:

Kryemadhi: Nuk po bën politikë, por po mbron Kushtetutën sepse është gardiani i Kushtetutës. Të flasësh sot për shpopullimin e Shqipërisë nuk është kauzë e opozitës por kauzë kombëtare. Roli i opozitës është sot për të folur për dështimet e Edi Ramës për humbjet e vendit të punës, taksat e larta, shëndetësi e arsim të rrënuar, mungesë infrastrukture, grabitje dhe varfërim çdo ditë e më shumë e familjeve shqiptare. Lista e dështimeve të tij është aq e madhe sa ja kalon listës së zgjedhësve shqiptarë. Opozita ka detyrë të punojë në terren me qytertarët, me ish-votues të socialistë të zhgënjyer. Me këtë logjikë i bie që Bundestagu gjerman dhe gjithë parlamentet e BE që flasin më egër se opozita, po bëjnë opozitën në Shqipëri.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana