Rruga e “ferrit” në Tiranë, në Kashar hidhet çakull në vend të asfaltit

Hyrja në Kashar është kthyer në stres për drejtuesit e mjeteve dhe për këmbësorët. Pas vendosjes së tubacioneve të ujit, Bashkia e Tiranës u mjaftua duke mbushur gropat me çakull, çka vështirëson qarkullimin. Shoferët i bëjnë thirrje Bashkisë të ndërhyjë sa më parë për të përmirësuar situatën.

Prej gati 3 javësh, aksi rrugor në hyrje të zonës së Kasharit është në këtë gjëndje (shiko video-n).

Pas punimeve të Bashkisë për vendosjen e tubacioneve të reja të ujësjellës kanalizimeve, rruga është lënë në mëshirë të fatit.

Punonjësit janë mjaftuar duke mbuluar gropën me çakull, çka shkakton pluhur të shumtë në zonë.

Ky aks është kthyer në një problem shqetësues dhe për drejtuesit e mjeteve.

Shoferët detyrohen të zgjedhin rrugën ku të kalojnë, pa i shkaktuar dëme mjeteve, por kjo përpjekje duket e kotë. Ata thonë se hapja e gjitha segmenteve në një kohë bëhet për fushatë, ndërsa kërkojnë marrjen e masave sa më parë.

Bashkia, e cila ka në përgjegjësi asfaltimin e rrugëve të kryeqytetit, e ka lënë në harresë këtë segment, duke e kthyer në stres të madh qarkullimin në këtë aks.