"Qeveria i ka humbur 50 mijë votat e Transportit! Sulejmanaj: Taksat vendore jo vetëm nuk u falën, por po vijnë me kamatëvonesa
Operatorët e transportit qytetas dhe ndërqytetas thonë se janë lënë në mëshirë të fatit në përballimin e krizës për shkak të pandemisë.
Eneo Sulejmanaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Qytetas dhe Ndërqytetas, në një intervistë për Ora News deklaroi se edhe premtimi që ktheu në punë operatorët pas protestave, nuk u mbajt nga qeveria.
Sulejmanaj: Një premtim i pambajtur është falja e taksave vendore nga bashkitë përkatëse për operatorët e transportit ndërqytetas. Ky premtim është i pambajtur. Taksat nuk u falën dhe po vinë edhe me kamatëvonesa. Kjo ka sjellë irritim te operatorët pasi një nga arsyet që vendosën të dilnin në punë ishte dhe falja e taksave që variojnë nga 250 mijë lekë të vjetra për autobus deri në 350 apo 400 mijë, në varësi të bashkive. Në asnjë bashki nuk janë falur taksat vendore.
Sipas Sulejmanaj, operatorët po përballen me vështirësi të mëdha dhe nëse situata vazhdon e tillë shumë operatorë do të falimentojnë.
Ai nuk e përjashtoi edhe zhvillimin e protestave.
Sulejmanaj: Kemi biseduar dhe me Shoqatën e Transportit Ndërqytetas për pjesën e veriut sepse ka pasur pakënaqësi shumë të madhe te operatorët dhe kemi menduar të organizojmë një protestë por deri tani nuk kemi marrë hapa konkretë. Pakënaqësia është shumë e madhe te operatorët ndërqytetas dhe do ketë lëvizje në ditët në vijim, është e sigurt. Nga premtimet e pambajtura, mendoj se ato 50 mijë vota që përfaqëson që përfaqëson transporti ndërqytetas me gjithë familjarët e tyre kjo qeveri i ka humbur. Nuk ka mbajtur premtimet, gjoba, asnjë investim në infrastrukturë, në stacione. E vramë trenin dhe tani po vrasim edhe transportin publik. Do të ketë lëvizje në vijim.
Intervista në studio me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti për online Besjana Kuçana