Gjobë për maskën, Kryemadhi: Perversitete të Edi Ramës, do ti falë para zgjedhjeve
Teksa deklaroi vendimin e saj për të mos mbajtur maskën, një masë detyruese kjo nga e enjtja, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi se ky është një vendim absurd i kryeministrit Rama.
Në një intervistë për Rtv Ora, Kryemadhi u shpreh se ky vendim është një strategji e Ramës në funksion të zgjedhjeve, duke paralajmëruar një tjetër aministi gjobash para votimeve të 25 prillit.
Kryemadhi: Jo vetëm nuk duhet përdorur maska por duhet dalë në rrugë. Le të guxojë dhe unë i bëj thirrje çdo qytetari që e ndalon çdo polic qoftë i Edi Ramës, qoftë i Erion Veliajt, të kundërpërgjigjet sepse vetë policët nuk do të kenë para për të blerë maska.
I keni parë kur dalin në protesta sesi janë policët e Edi Ramës, kishin maska kur u shemb Teatri? Është absurditet. Unë e di sa trim është Edi Rama, ashtu siç nuk guxoi të ndalonte komunitetin mysliman për të falë Bajramin.
Le ti themi përsëri, guxo dhe gjobit! Po provon sesa ky popull ka mundësi të durojë diktatin, jam e bindur që e ka të pamundur. Gjobiti gjithë bizneset me nga 10 mln lekë dhe tani thotë i kam falur gjobat. Edhe tani do të bëjë sikur i gjobit dhe pastaj do t'ua falë gjobat dy ditë para zgjedhjeve.Janë përversitete të Edi Ramës që kërkon të provojë durimin e qytetarëve.
Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana