Shoqata distancohet nga rritja e çmimit të biletës së autobusëve: E nevojshme, por s'mund të bëhet sipas qejfit
Shoqata e Transportit Qytetas dhe Ndërqytetas distancohet nga rritja e çmimit të biletës së autobusit në disa linja të transportit ndërqytetas.
Eneo Sulejmanaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Qytetas dhe Ndërqytetas, në një intervistë për Ora News, thotë se i kupton vështirësitë me të cilat po përballen operatorët, por thekson se rritja e biletës prej tyre është e paligjshme.
Një vendim i tillë, sipas tij, duhet të merret vetëm nga autoritetet shtetërore.
Sulejmanaj: Për linjat qytetase nuk di të ketë pasur rritje të çmimit të biletave, ndërsa për linjat ndërqytetase kemi infomacione. Ne si shoqatë distancohemi nga këta operatorë. Por duke marrë parasysh vështirësitë mendoj se mund të ketë pasur një rritje që varion nga 20-50 lekë të reja.
Operatorët kanë marrë një vendim pa u konsultuar me shoqatën, është i paligjshëm sepse ne operojmë në varësi të një VKM-je të 2007 ku janë përcaktuar çmimet e biletave. Ne nuk mund të ndryshojmë çmimin e biletave sipas qejfit tonë. Sigurisht që është e nevojshme që çmimi i biletave të ndryshojë por kjo duhet bërë nga instancat shtetërore dhe jo nga vetë operatorët.
Prej 1 Tetorit, çmimi i biletave të disa linjave të transportit ndërqytetas është rritur.
Ndryshimet e çmimit variojnë nga 30 deri në 150 lekë më shumë se sa ishin para pandemisë.
Përfaqësues të transportit ndërqytetas fajësojnë për këtë situatë mungesën e mbështetjes prej qeverisë në përballimin e krizës.
Ora News bëri një vëzhgim dhe në terminalet ndërqytetase, ku punonjës të transportit publik kanë pranuar rritjen e çmimit të biletës, kryesisht në linjat e Korçës, Shkodrës dhe Durrësit.
LEXO EDHE: Prej 1 tetorit paguhet deri në 150 lekë më shumë në linjat ndërqytetase
Intervista në studio me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti për online Besjana Kuçana