Protestë kundër thertores, banorët e Laknasit: S’lejojmë prerjen e pyllit për të ndërtuar biznes! Gjykata shtyn vendimin
Banorët e Laknasit kanë protestuar sërish këtë të hënë përpara Gjykatës Administrative të Apelit, duke u shprehur kundër ndërtimit të një thertoreje pranë banesave të tyre. Ata thanë se qëndresa do të vijojë me çdo formë dhe se shpresojnë që drejtësia të japë një vendim në favor të tyre.
Banorët e Laknasit ju rikthyen protestës për të kundërshtuar ndërtimin e një thertoreje dhe restoranti në afërsi të banesave ku jetojnë.
Këtë të hënë, ata protestuan para Gjykatës Administrative të Apelit ku pritej të merrej vendimi nga togat e zeza.
Banorët thanë për mediat se shpresojnë që drejtësia të japë një vendim për ndalimin e ndërtimit të thertores.
"Duam drejtësi, jemi 300 banorë. Ai pyll na mbron nga uji i ndotur, nga devijimi i lumit që na shkatërron komplet. Ka vend më poshtë dhe më lart, bosh. Plus që janë dy thertore bosh në Kamëz."
Kryeplaku i fshatit shprehet se për ndërtimin e thertores askush nuk ka pyetur banorët.

"Unë jam kryeplaku i zonës dhe ai thotë kam marrë leje. Si ke marrë leje pa lejen time, pa pyetur banorët? Nuk arrij ta kuptoj këtë lloj shteti!"
Ambientalisti, Sazan Guri, gjithashtu thotë se Gjykata duhet të ndalojë ndërtimin pasi favorizon erozionin e tokës dhe përmbytjet e banesave.

Guri: Ky pyll i mbron nga erozioni.
Në përfundim të seancës, Gjykata shtyu dhënien e vendimin për në datën 20 tetor.
Ndërtimi i thertores në Laknas ka nxitur protesta të herëpashershme tek banorët, të cilët prej vitit të shkuar pengojnë punimet në zonë.