"S'e kam dëgjuar Planin e PD", Basha i përgjigjet Ramës: E besoj, ka vite që nuk dëgjon
Në një dalje për mediat nga selia e PD, lideri i opozitës Lulzim Basha, nisur nga përgjigja e sotme e kryeministrit Edi Rama se, nuk e ka dëgjuar Planin e Rimëkëmbjes të publikuar nga PD para dy javësh, është shprehur se shefi i qeverisë ka vite që nuk dëgjon askënd.
"Shëndetësia është në kufijtë e kolapsit. Aftësive për të përballuar rritjes së infektimeve nga Covid-19. Siguria e fëmijëve dhe mësuesve në shkolla është lënë në mëshirë të fatit. Qeveria dhe kryeministri nuk kanë marrë asnjë masë, edhe pse kanë kaluar javë. Kjo është gjendja sot.
Ndërkohë pyetjes suaj sot paradite nëse ka ndërmend ta zbatojë planin me 5 pika që ne kemi shpalosur prej dy javësh, i është përgjigur se "nuk e ka dëgjuar". Unë e besoj që ai nuk e ka dëgjuar sepse ka javë, muaj, vite që Rama nuk dëgjon. Nuk dëgjon njerëzit, nuk dëgjon prindërit që kanë humbur vendet e punës. Nuk dëgjon biznesin dhe sipërmarrjen që ka vite në mbijetesë dhe po i dorëzohen një nga një falimentimit;nuk dëgjon mjekët: nuk dëgjon mësuesit nga të cilët marrim qindra mesazhe çdo ditë për gjendjen higjenike në shkolla, nuk dëgjon të rinjtë që lënë Shqipërinë nga terminali i autobusëve siç nuk i dëgjoi as para dy vjetësh gjatë protestave studentore", u shpreh ndër të tjera Basha.
Kreu i PD shtoi se, "Edi Rama dëgjon vetëm zërin e oligarkëve të tij që kërkojnë para për inceneratorët".
Sipas Bashës, plani me 5 pika i PD nuk është kinematografi me regji qëndrore, nuk janë cic-mice, por rrugëdalje nga kriza.
"Duke rezultuar të vetmin në Shqipëri, e besoj se nuk e ka dëgjuar planin. Por unë nuk do të lodhem ta përsëris edhe njëherë planin. Plani ynë me 5 pika nuk është kinematografi me regji qëndrore, nuk janë cic-mice, por rrugëdalje nga kriza. Ka folur për paketë të tretë, vendet e thera po japin të katërtën. Edi Rama dëgjon vetëm zërin e oligarkëve të tij që kërkojnë para për inceneratorët. Prandaj nuk e dëgjon zërin e shqiptarëve”, deklaroi Basha.
Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama në një pronocim për mediat nga selia e PS i ka kthyer përgjigje kryedemokratit Basha për planin me 5 pika për përballimin e krizës së pandemisë.
“Ç’ është ky plan me 5 pika? Nuk kam idenë për një plan me 5 pika”, ka thënë Rama për mikrofonin e Ora News, teksa është larguar menjëherë.
/a.r, OraNews