Nis vaksinimi anti-grip, çdo ditë 150 - 200 vaksina. Falas për moshat e treta e të sëmurët
Pandemia e koronavirusit ka bërë që këtë vit qytetarët të jenë më të interesuar për të kryer vaksinën anti grip. Mesatarisht në një ditë në një qendër shëndetësore mund të kryhen 150-200 vaksina. Mjekët thonë se grupet e riskut janë ato të cilat janë më të interesuar për të marr këtë medikament.
Tirane - 30 shtatori ishte dita e parë kur u aplikuar vaksinat anti grip për këtë sezon, e prej atëherë, ndryshe nga vitet e tjera interesimi i qytetarëve për ta marr këtë medikament është i madh.
Mjekët e familjes thonë se janë grupet e riskut ato të cilat më së shumti janë të interesuara ta kryejnë vaksinën, pasi janë edhe më të frikësuar nga koronavirusi.
"Pacientët që kanë kaluar njëherë Covid dhe janë një moshë më të moshuar janë më shumë të interesuar."
Mjekja e familjes Xhentiljana Nazaj thotë se në një ditë në qendrën shëndetësore 10 kryhen 150-200 vaksina.
"Në qendrën tonë kryehn nga 150-200 vaksina në ditë. Është vaksinuar stafi mjekësor, por më shumë interes kanë pasur ata që nuk e kanë kaluar covidin."
Pjesa e dytë e këtij medikamenti pritet të vij në fund të tetorit ku do të shpërndahet për një grup më të madh qytetarësh.
Vaksina anti grip mund të kryhet nga të gjithë personat, veç pacientëve që janë pozitiv me Covid.
Për të shmangur grumbullimet në qendrat shëndetësore, këto të fundit kanë shpërndarë shërbimet në orare të ndryshme.
Sipas mjekëve mes qytetarëve ka rënë ndjeshëm edhe ndjenja e frikës për pasojat negative, ndërsa theksojnë se janë më të prirur ti nënshtrohen asaj.
Bluzat e bardha apelojnë qytetarët të kryejnë vaksinën, pasi në këtë situatë pandemie, gjendja shëndetësore e një të prekuri me Covid, mund të përkeqësohet më shumë nëse preket edhe nga një virozë tjetër e stinës.
