Shqipëria merr notë pozitive nga BE-ja: Reformat nuk ndaluan pavarësisht tërmetit e pandemisë. Varhelyi nesër në Tiranë

Bashkimi Europian vendosi të mobilizojë deri në 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor për t’u investuar në pesë fusha kryesore si ndihmë pas pandemisë së koronavirusit. Këto para do të jepen vetëm në kuadër të projekteve të përbashkëta. Për Shqipërinë komisioneri Oliver Varhelyi vlerësoi reformat, ndërsa nënvizoi se mungesa e konsensusit për Kodin Zgjedhor nuk do të jetë pengesë për integrimin.

Komisioni Europian prezantoi të martën pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor me synim për të mundësuar rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e vendeve të punës.

Përpara eurodeputetëve, komisioneri për Zgjerimin Oliver Vahelyi, tha se Komisioni do të mobilizojë deri në 9 miliardë euro fonde për të financuar investime të rëndësishme në transport, energji, zhvillimin e gjelbër dhe kalimin dixhital.

“Komisioni propozon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro në fondet IPA për periudhën 2021-2027 me synim për të mbështetur konvergjencën ekonomike të rajonit. Gjithashtu kapaciteti i investimeve i rajonit duhet të përforcohet nga Mekanizimi i Ballkanit Perëndimor me objektivin për t’i rritur investimet deri në 20 miliardë euro. Plani ekonomik dhe i investimeve do të shtojë grantet në krahasim me kreditë,” tha Varhelyi.

Këto miliarda vijnë për një rajon që i marrë së bashku ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 100 miliardë eurosh.

Me paratë e taksapaguesve europianë synohet lidhja e të gjitha kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor me autostrada dhe hekurudha.

Komisioni sheh mundësi të mëdha investimi në rrjetin hekurudhor dhe për këtë është zotuar të financojë projektet.

Objektiv tjetër është nxjerrja jashtë përdorimit e qymyrit si lëndë djegëse dhe kalimi tek gazi.

Plane Europa ka edhe për lidhjen dixhitale të këtyre vendeve dhe rrjeteve të internetit.

Sipas komisionerit Varhelyi, këto fonde do të jepen vetëm në kuadër të integrimit rajonal dhe ekonomik, pasi synimi i Komisionit është afrimi i ekonomisë së Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian.

“Vetëm nëse qeveritë realizojnë reforma dhe luftojnë korrupsionin, sidomos duke përmirësuar administratën publike, mund të kenë qasje në këto fonde të BE-së,” shtoi Varhelyi.

Në lidhje me Shqipërinë, raporti i paraqitur nga komisioneri ndërsa përshëndet vazhdimin e reformave, nënvizon mungesën e Gjykatës Kushtetuese, problemet e shfaqura me ligjin e medias dhe ligjit për prokurimet publike.

“Shqipëria i ka kryer me vendosmëri reformat e saj dhe autoritetet aty po vijojnë të tregojnë gatishmëri për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian. Vendi ka shënuar përparim të dukshëm dhe është afër përmbushjes së të gjitha kushteve për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negociatave. Ne kemi vënë re përparim për reformën zgjedhore në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Zbatimi i reformës në drejtësi ka vijuar ashtu si edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe siç mund ta keni parë ka përparim të mirë në drejtim të shtetit ligjor,” tha komisioneri.

Gjatë seancës së pyetjeve u ngrit si shqetësim nga eurodeputetët miratimi pa konsensus i Kodit Zgjedhor, por komisioneri tha se një gjë e tillë nuk do të jetë pengesë për vazhdimin e rrugës së integrimit europian të Shqipërisë. 

Në një linjë edhe reporterja e PE-së për Shqipërinë, Isabel Santos, nënvizoi se Shqipëria nuk i ndaloi reformat pavarësisht goditjes nga tërmeti dhe pandemisë e koronavirusit.

Ndërkohë nesër Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi do të jetë në Tiranë dhe do ti adresohet edhe parlamentit.

Gjithashtu ai do të ketë takime dhe me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD-se, Lulzim Basha.

LEXO EDHE: Nga rrugët, hekurudhat dhe energjia, ja projektet që BE do të financojë në Shqipëri