"Bandat bëjnë ligjin në Elbasan", kryeprokurori Çela: Shqipëria s'mund të jetë Siçilia e viteve '70-ë

Në daljen e parë publike pas pandemisë, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela ka kërkuar nga Elbasani bashkëpunim mes institucioneve në mënyrë që të luftohet si krimi dhe te mos lejohet që të rinjtë e qytetit të rekrutohen nga bandat. Kryeprokurori theksoi se në këtë qytet veprojnë grupe të krimit të organizuar, të cilat duhet të marrin goditje vendimtare nga shteti.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka dhënë alarmin për aktivitetin e grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit.

Gjatë analizës vjetore të punës së prokurorisë në këtë qytet, kryeprokurori tha se nuk bëhet fjalë për krimin e zakonshëm, por për krim të organizuar.

Çela: Ne po përballemi me një situatë aspak të zakonshme, të rinjtë e Elbasanit nuk mund të rekrutohen nga bandat. Nuk mund të jetë kjo perspektiva e tyre. Shqipëria nuk mund të kthehet në Siçilinë e viteve ’70-ë.

Kryeprokurori Çela ka paralajmëruar edhe për rrezikshmërinë e përfshirjes së bizneseve të ngritura nga grupet kriminale në përfitimin e parave publike.

Çela: Çdo element i evazionit fiskal duhet të hetohet nga instituicionet e porsangritura. Çdo aset me origjinë të jashtëligjshme duhet të hetohet. Nëse nuk godasim asetet e krimit, nuk do të kemi sukses. Edhe veprimet e dhunshme në rrugët e qyetit, nga to mund të dalin lidhje me elementë të grupeve kriminale.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme i bëri thirrje institucioneve të tjera në nivel qendror të përfshihen në luftën kundër krimit për të rikthyer rendin dhe sigurinë në këtë qytet.